Skënderbeu në Kiev, Daja: Jo rastësisht këtu

Skënderbeu është nisur sot nga Selaniku drejt Ukrainës me një çarter dhe nga dreka pritet të mbërrijë në Kiev, duke qëndruar në një nga hotelet më të mira të këtij qyteti. Korçarët do të pushojnë deri në orën 18:00 me orën vendase dhe më pas do të shkojnë në stadium, që është vetëm pak kilometra larg hotelit dhe do të kryejnë seancën e fundit stërvitore.

Trajneri Ilir Daja ka punuar shumë edhe anën teorike dhe psikologjike, përveç përgatitjeve në fushë. Trajneri kryeqytetas e ka studiuar kundërshtarin me anë të disa videove dhe ka një ide më të qartë se ku duhet të ketë kujdes ekipi i tij dhe ku mund t’i godasë ukraiansit. Gjithçka është analizuar në një seancë teorike dje në Selanik.

“Jemi koshientë për forcën e ekipeve kundërshtare në grup. Kualiteti i tyre është një shkallë më lart, por futbolli është sport kolektiv dhe ne do të provojmë. Nuk jemi rastësisht këtu dhe kemi shanset tona. Të shohim çfarë jemi në gjendje të bëjmë praktikisht në ndeshjet në grup, pasi teorikisht dihet tashmë kush është favorit” – është shprehur trajneri Ilir Daja.