Tatimet dhe AMF, kontrolle në kompanitë e sigurimeve

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të ushtrojnë kontrolle të përbashkëta pranë kompanive të sigurimit si dhe subjekteve të tjera nën mbikëqyrje. Po kështu të dy institucionet do të shkëmbejnë informacion në funksion në mënyrë të koordinuar. Objekt i inspektimeve të përbashkëta do të jenë zbatimi i dispozitave ligjore e nënligjore në fuqi që rregullojnë veprimtarinë e tregjeve financiare në mbikëqyrje, ligjshmëria e kryerjes së shpenzimeve nga ana e shoqërive të sigurimeve, policat e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit, si edhe ligjshmëria e veprimtarisë së subjekteve nën mbikëqyrjen e AMF-së.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nënshkroi më datë 11 shtator 2017, Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve “Inspektimet e përbashkëta në shoqëritë e sigurimeve dhe subjektet e tjera në mbikëqyrje të AMF-së dhe shkëmbimin e informacionit”. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje shërben si bazë bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve, me qëllim kryerjen e inspektimeve të përbashkëta midis Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, sipas afateve dhe rregullave procedurale në fuqi për kontrollin, si dhe shkëmbimin e informacioneve në funksion të këtyre inspektimeve.