Të shohësh përmes syve të shpirtit! Franci na e rrëfen me muzikë pse: “Të gjithë gënjejnë”

Teksa e dëgjon këngën, melodinë dhe zërin e tij, të vjen ndërmend Fabrizio de Andre…Kështu, në këtë formë melodioze vjen i riu Franc Koruni, për publikun e gjerë me videoklipin e tij të parë dhe me një këngë tërësisht të re: “Të gjithë Gënjejnë”. Për çfarë flet kjo këngë, ju ftojmë ta dëgjoni atë “përmes syve të shpirtit” të tij.

Një tematikë shumë e fortë, interesante e filozofike në të njëjtën kohë; sikurse në përgjithësi shfaqet krijimtaria e Francit, si në këngët “Kjo jetë, të jetë” (Kënga Magjike 2015); “I shkreti mbret” (Kënga Magjike 2016), por nuk mungojnë këngë argëtuese si “Macka”, – pjesëmarrëse në Festivalin e 55-të në RTSH.

Të qenët kitarist klasik dhe ndikimi i muzikës italiane, kanë formësuar te Franci një stil tejet unik. Siç ai vetë shprehet për Konica.al, teksti zë rol kryesor në krijimtarinë e tij, ashtu si dhe vetë kënga “Të gjithë gënjejnë” e dëshmon, e cila sapo është shfaqur për publikun me videoklip.

“Kjo këngë nxjerr në pah dobësitë dhe frikërat e njeriut rreth këtij pseudocivilizimi njerëzor. Njeriu nuk është i gatshëm të pranojë shumë dukuri, pasi i lëndohet egoja dhe në këtë mënyrë… të gjithë gënjejnë. Siç e thotë dhe vetë kënga “…ti po endërron, ndaj mendon se je i lirë dhe po ngatërron dashurinë me leverdinë…”-shton Franci.

Ndërsa fabula e klipit paraqet dy anët e njeriut: pjesën brendësore (shpirtin, ndërgjegjen, etj.); dhe atë sipërfaqësore: personalitetin e tij të jashtëm që ky i fundit, siç edhe paraqitet edhe në videoklip, arrin më në fund të njohë veten e tij pas gjithë thirrjeve të zemrës.

Po përse gënjejnë të gjithë? Teksti i këngës me muzikë dhe tekst nga vetë Franc Koruni dhe orkestrim nga Shëtim Saraçi përmbyllet: Ti po ëndërron, ndaj mendon se je i lirë/ dhe po ngatërron dashurinë me leverdinë/ por…por nuk ka problem/ për sa kohë… të gjithë gënjejnë…

Bio 

Lindi në Tiranë në vitin 1992. Në vitet 2005-2010 studioi nën drejtimin e pedagogut Gert Margariti në liceun artistik “Jordan Misja”, ku edhe u diplomua me rezultate të shkëlqyera. Ka ndjekur studimet e masterit për kitarë klasike në Universitetin e Arteve në Tiranë, në udhëheqjen e pedagogut Admir Doçi.

Ka ndjekur masterklasë me kitaristët e njohur botërorë si: Anders Miolin, Odair Assad, Goran Krivokapic, etj. Që prej vitit 2009, Franci ka interpretuar në shumë aktivitete muzikore në Shqipëri, Kosovë, Itali, Kroaci, Mali i Zi, Litenshtejn apo Zvicër, si dhe ka marrë pjesë në disa festivale ndërkombëtare.

Në vitin 2009, Franc Koruni u vlerësua me Çmimin e Nderit nga Akademia Imperiale në Romë me motivacionin “Për kreativitetin e tij artistiko-muzikal”, ndërsa në vitin 2011 ai fiton çmimin e tretë në Festivalin “Riniarts Fest Apolloni”, si dhe në të njëjtin vit shpallet fitues i Çmimit të Parë në “Garat ndërkombëtare të Muzikantëve të Rinj ArsKosova”. Në vitin 2013, Franci fiton Çmimin e Tretë në konkursin Ndërkombëtar të kitarës në Groznjan të Kroacisë.