Tragjedia / Futbollisti i kombëtares franceze, në koma që nga 1982

Jean-Pierre Adams është një njeri i jashtëzakonshëm me një histori po aq të jashtëzakonshme. Megjithëse ka luajtur 22 herë me përfaqësuesen franceze, ky shkrim i botuar nga “telesport.al” do të tregojë historinë e tij jashtë fushës, kryesisht me fatkeqësinë e tij jashtë saj. Tashmë në moshën 69-vjeçare, Adams ka kaluar gjysmën e jetës së tij në koma. Që prej 17 marsit të vitit 1982.

I lindur në Dakar të Senegalit (në atë kohë Afrika Perëndimore Franceze), Adams u largua nga vendlindja me gjyshen tij për në Montargis, një fshat i vogël në zonën veriore të Francës, ku u regjistrua në shkollën Saint-Louise de Montargis përpara se të adaptohej nga një çift francez.

Pasi luajti në fillim si sulmues i dytë për ekipet e moshave të US Cepoy, CD Bellegarde dhe USM Montargis, Jean-Pierre Adams iu bashkua ekipit gjysmë-profesionist RC Fontainebleau më 1967 në moshën 19-vjeçare; duke u pozicionuar në mbrojtje nga trajnerët e tij, ai ndihmoi klubin të fitonte Championat de Rance Amateur (kategoria e 4-t) dy herë përpara se të nënshkruante me klubin e Ligue 1, Nimes Olympique, më 1970.

Gjatë qëndrimit trevjeçar te klubi, ai ndihmoi Nimes të pozicionohej në vend të dytë, një arritje rekord edhe sot e kësaj dite duke siguruar kështu një vend në UEFA Cup një vit më pas, me 21 fitore 76 gola dhe një diferencën 39+.

Midis viteve 1973-1977 ai luajti për Nice, sërish në Ligue 1. Reputacioni i Adams u rrit, megjithëse klubi kishte probleme, duke u emëruar në skuadrën e sezonit 1975-76 nga France Football. Ai mbeti pa rival në rolin e tij. Sezoni i ardhshëm do të ishte më i miri i karrierës së tij, me Nice që luftoi për titullin kampion, por në fund duhej të kënaqej me vendin e dytë.

Në arenën ndërkombëtare, Adams debutoi në vitin 1972, kur ishte akoma te Nimes, në moshën 24-vjeçare dhe hyri nga stoli ndaj një turneu që festonte 150 vjetorin e pavarësisë së Brazilit nga Portugalia.

Ashtu si periudha e tij te Nice, karriera e tij ndërkombëtare do të merrte fund për shkak të dëmtimit që pësoi në sezonin 1976-77 me paraqitjen e tij të fundit që ishte ndaj Danimarkës në vitin 1976. Gjithsesi, Adams do të shkonte të luante për Paris Saint-Germain midis viteve 1977-79 përpara se periudhës së tij nëntëvjeçare në Ligue 1 t’i vinte fundi, teksa ai iu bashkua, si fillim, Mulhouse dhe më pas Chalon. Në vitin 1981, në moshën 33-vjeçare, u tërhoq.

Në ditën e tretë të kursit të trajnerit në Bourguignon, në pranverën e vitit 1982, Adams pësoi një dëmtim të rëndë në gju dhe iu drejtua spitalit të Lyon-it mëngjesin e nesërm. Skanimet e para treguan tendinat në pjesën e prapme të gjurit ishin dëmtuar.

Një takim i paplanifikuar me një kirurg rrugës për në spital do të ishte pika e kthesës së jetës së tij. Biseda e shkurtër i mbushi mendjen Adams se zgjidhja më e mirë do të ishte të operohej sa më shpejt të ishte e mundur dhe ai vendosi të operohej më 17 mars. Pas tre telefonatave, gruaja e tij u lajmërua të shkonte menjëherë në spital, asaj iu bashkuan edhe dy drejtues të Chalon, teksa mjekët i thanë se bashkëshorti i saj kishte kaluar në gjendje kome.

Për 5 ditësh dhe 5 netësh, Bernadette, gruaja e Adams, qëndroi pranë shtratit të tij e dëshpëruar me shpresën që gjendja e tij të përmirësohej. Pyetja që duhej shtruar ishte se si kishte mundësi që një operacion aq i thjeshtë në gju mund të kishte pasoja kaq të mëdha? Përgjigja është aq e thjesht, sa edhe e komplikuar.

Pjesa e thjeshtë është se kishte një problem me administrimin e anestezisë, e cila kishte krijuar një flluskë ajri të padëshiruar, duke shkaktuar diçka që quhet bronkospazmë, e cila shkon deri në trurin e të prekurit që nuk arrin të mbushet me oksigjenin e nevojshëm, duke detyruar që të zhytet në koma. Neglizhencë do të thoshit ju? Po, edhe jo.

Tani fillon pjesa e komplikuar: anestezisti ishte i mbingarkuar, duke u marrë me tetë pacientë të tjerë, ndër ta edhe një fëmijë, i cili kishte nevojë për vëmendje të veçantë. Në nëntor ai u transferua në një spital tjetër në Chalon, ku jetonte çifti. Adams humbi 11 kg brenda një muaji dhe duhej t’i nënshtrohej një tjetër operacioni të nevojshëm pas një infeksioni në kockat e tij.

Në gusht të 1983 spitali sugjeroi që ai duhet të transferohej në një qendër të specializuar me pacientët në koma, por Bernadette refuzoi, duke insistuar se do ta rikthente në shtëpi, ku ajo do të kujdesej për të. Ajo do t’i qëndronte pranë orë pas ore, do të flinte në të njëjtën dhomë me të, do e kthente në mes të natës, çdo natë.

Ajo nuk e bëri prej nevojës, por për shkak të dashurisë që kishte për njeriun e zemrës. Një shtëpi u ndërtua enkas me ndihmën e ish-klubeve të Adams, si Nimes dhe PSG, që mundësuan 15.000 franga, dhe Federata Franceze të Futbollit, që kontribuoi 25.000 franga, e cila u ndoq me një shifër të përjavshme 6,000 franga. Një shifër që do të ishte afërisht 1.140.000 euro me gjendjen e valutës sot e kësaj dite.

35 vite pasi Adams shkoi të operohej në gju, Bernadette akoma kujdeset për të me spitalin që nuk është në gjendje të mundësojë stafin e nevojshëm për t’u kujdesur për të. Adams nuk mund të flasë apo të ecë, por është në gjendje të marrë frymë vetë, të bluajë ushqimin dhe të hapë e të mbyllë sytë e tij.

Çdo ditë Bernadette e vesh dhe qëndron pranë tij, duke folur me të që të kalojë koha dhe, gjatë një interviste me CNN, ajo u shpreh: “I blej gjëra në mënyrë që ai mund të ketë një dhomë të bukur…askush nuk harron t’i blejë dhurata, për ditëlindje, krishtlindje apo festa të tjera.”

Kanë kaluar më tepër se 12,000 ditë që prej ditës që Jean-Pierre Adams u zhyt në koma, Bernadette nuk ka humbur shpresa që situata e tij të përmirësohet, por është edhe një tragjedi që tregon forcën e madhe të njerëzimit. (Marrë nga telesport.al)