Uragani ‘Irma’/ Rrëfen tmerrin e përjetuar shqiptarja nga Florida: Po përgatitemi për më të keqen!

Uragani ‘Irma’ është duke u bërë çdo herë më i madh dhe pritet të jetë shumë më i rrezikshëm sesa uragani ‘Harvey’.

‘Irma’ ka futur në krizë të thellë Ishujt Karaibe, duke shkaktuar vdekjen e dhjetëra civilëve si dhe dëme të mëdha materiale. Uragani i cili shkatërroi Ishujt Karaibe, duke shkaktuar vdekjen e dhjetëra civilëve si dhe dëme të mëdha materiale, pritet të prekë Floridën, e  shtetet fqinje të saj në jug të ShBA-së.

Alma Gripshi Kraja jeton në Fort Lauderdale në Jug-Lindje të Floridës, pranë Majamit, një zonë që rrezikohet së tepërmi nga uragani Irma. Alma dhe familja e saj, kanë vendosur të mos largohen pasi siç thotë, Alma, për Zërin e Amerikës, kanë besim tek masat që po marrin autoritetet dhe tek siguria e rreptë e ndërtesave.

Megjithatë ajo shpreh shqetësim për gjendjen dhe thotë se për sa vite ka qenë në Florida nuk është pritur ndonjë stuhi kaq e fuqishme.

Alma Gripshi Kraja: “Ditë të mbushura plot ankth e pasiguri, rrugët janë pothuajse bosh. Duke qenë se ne nuk kemi pasur eksperiencë të ngjashme më parë, të një uragani me këto përmasa, jemi të frikësuar. Urgani pritet të vijë të shtunën në darkë deri të dielën. Shumë njerëz janë evakuar, rreth 600 mijë persona kanë ikur.

Qendra të shumta strehimi vazhdojnë të hapen. Supermarketet janë gjithmonë me njerëz, të cilët furnizohen me gjërat e nevojshme për këto raste. Aq saqë kurdo që të shkosh, nuk gjen dot ujë.

Edhe pse ka shumë panik, ne vendosëm të qëndrojmë, pasi kemi besim tek masat që po marrin autoritetet dhe tek siguria e rreptë e ndërtesave. Dhe ne jemi në kat të lartë banimi, shtëpitë private janë më të rrezikuara.

Fort Lauderdale dhe Majami janë epiqendra të uraganit, ndaj nëse do të ishim në shtëpi të ulët, duhet të ishim evakuar.
Lëvizjet e njerëzve janë të pakta, pasi shumica e njerëzve tashmë i kanë marrë masat dhe janë strehuar.

Shqetësimi më i madh është siguria. Shprehja që po qarkullon këto javë në Florida është, të përgatitemi për më të keqen, e të shpresojmë për më të mirën. Është një ndjenjë shumë e lartë solidariteti nëpërmjet njerëzve të njohur dhe të panjohur.” /dritare.net

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj