Vlorë/ Sekuestrohen mbi 1 ton hashash gati për t’u trafikuar drejt Italisë

Është finalizuar një tjetër operacion antidrogë me sukses nga Policia e Shtetit, ku janë sekuestruar 1030 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa.

Burime nga policia bëjnë me dije se droga ishte gati për t’u trafikuar drejt Italisë, ndërsa operacioni vijon ende për kapjen e trafikantëve që janë arratisur me një gomone. Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe armë zjarri.

Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Delta Forcë, Policinë Kufitare dhe GdF.

Rreth orës 01:00 të datës 10.09.2017, në Plazh të Vjetër, në lagjen “1 Maji” rreth 30 m larg nga Porti i Vlorës, Efektivët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, me repartin special “Delta Forcë”, me DVKM Vlorë dhe me GdF, nisur nga një hetim me metoda speciale për evidentimin dhe parandalimin e trafikimit të lëndëve narkotike, kanë finalizuar një tjetër operacion antidrogë të koduar “Plazhi i vjetër”.

Në një banesë private të pabanuar, janë gjetur dhe sekuestruar 49 pako të mëdha të mbështjella me natriban ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa, me peshë totale 1030 kilogramë.

Gjithashtu gjatë kontrollit në këtë banesë u gjetën dhe u sekuestruan edhe 6 armë zjarri, nga këto 3 armë Kallashnikov dhe 3 armë Pistoleta, si dhe municion luftarak.

Në afërsi të banesës në det, ndodheshin tre persona me një gomone të cilët ishin përgatitur për të transportuar lëndën narkotike drejt Italisë.

Në momentin që ka ndërhyrë Policia të tre personat G.S., A.I., J.S., janë larguar me shpejtësi të madhe me gomone në hapësirën detare.

Në ndjekje të tyre janë vënë Policia Kufitare, Delta Forcë e GdF, ku ende vijon kontrolli në det për kapjen e tyre.

Shtetasit G.S., A.I., J.S janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe janë shpallur në kërkim nga ana e Policisë.

Ndërkohë vijon operacioni për gjetjen dhe kapjen e tre shtetasve, si dhe vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj vepre penale.