8 minuta seancë/ Byroja do vendosë sot për Nokën

Vetëm 8 minuta ka zgjatur seanca plenare e thirrur pasditen e sotme. Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, bëri një përmbledhje të minutave të vëna në dispozicion të mazhorancës dhe opozitës për të folur, duke hedhur poshtë pretendimet e këtyre të fundit se nuk kanë hapësirë për të folur.

“Është bërë kërkesë nga 8 deputetë të mazhorancës, që kërkojnë thirrjen e Byrosë së Kyvendit për të analizuar qëndrimin ndaj deputetit Flamur Noka, njëherësh është bërë një kërkesë kryetarit të Kuvendit nga 9 deputetë të grupimeve të ndryshme të opozitës, për të marrë masa ndaj deputetit Edi Rama për seancën e sotme. Pasi u konsultova dhe pashë të zbardhur proceverbalin e seancës, nuk mund ta marr në konsideratë. Njoftoj që Byroja e Kuvendit do të thirret sot në orën 19:00”. Më tej, Ruçi i bëri thirrje deputetit demokrat të lirojë sallën.

“I bëj thirrje deputetit të lirojë seancën. Zoti Noka do lironi sallën?”.

E ndërsa hasi në refuzimin e tij për të dalë jashtë, Ruçi mbylli punimet e Kuvendit, duke njoftuar sërish nesër seancë plenare.