Bum turistësh të huaj/ Më shumë se 85% kanë hyrë përmes udhëtimeve në rrugë tokësore

Më shumë se 85 % e turistëve të huaj që vizituan Shqipërinë këtë vit, kanë hyrë përmes udhëtimeve në tokë. Shifrat e bëra publike nga INSTAT në buletinin e fundit “Vjetari statistikor 2012-2016” tregoi se në harkun kohor 2012-2016, lëvizjet e shtetasve të huaj dhe shqiptarë kanë pasur tendencë në rritje.
Hyrjet mesatare të shtetasve të huaj janë rritur me 8,1 %, ku rritja më e madhe është shënuar në vitin 2016 me 14,6 %. Në hyrjet e shtetasve të huaj gjithsej, pjesën më të madhe me 85,3 %, e zënë hyrjet nga toka. Ilir Konomi, administrator i “AlbaniaPropertyGroup” ka pohuar për Monitor që, duke nisur nga viti 2015 të huajt preferuan që të vinin në Shqipëri nëpërmjet udhëtimeve me autobusë të mëdhenj. Kjo, për disa arsye sipas tij. E para, lidhej me çmimet e larta të fluturimeve. Ndërsa një arsye tjetër është afërsia e Durrësit nga kufiri: europiano-qendrorët kryesisht kanë preferuar Durrësin për vijën e gjatë bregdetare që ofron, si dhe plazhin me rërë.

Sipas raportit të Instat, qarku i Kukësit është qarku me përqindjen më të lartë të hyrjeve nga toka me 50,9 % (ku 95,5 % e këtyre hyrjeve vijnë nga pika kufitare e Morinës), i ndjekur nga i Shkodrës me 21,1% (ku 68,5 % e këtyre hyrjeve vijnë nga pika kufitare e Muriqanit), nga qarku i Korçës me 17,1 % (ku 61,4 % e këtyre hyrjeve vijnë nga pika kufitare e Qafë Thanës), dhe nga qarku i Gjirokastrës me 9,2 % (ku 49,7 % e këtyre hyrjeve vijnë nga pika kufitare e Kakavijës).

Të dhënat tregonin se hyrjet e shtetasve të huaj nga ajri, në harkun kohor 2012-2016, janë rritur me 13,8 %, ndërsa daljet e shtetasve shqiptarë janë ulur me 3,9 %. Në periudhën kohore 2012-2016, hyrjet e shtetasve të huaj nga deti janë rritur mesatarisht me11,8 % ndërsa daljet e shtetasve shqiptarë janë ulur mesatarisht me 0,4 %. Në portin e Durrësit, hyrjet dhe daljet e shtetasve të huaj dhe shqiptarë zënë respektivisht 56,5 % dhe 72,9 % të hyrjeve dhe daljeve gjithsej nga deti. /Monitor