Çdo familje në Evropë e ka një anëtar me këtë sëmundje

Artriti paraqet një gjendje shëndetësore që karakterizohet nga dhimbja, në të cilën preken artikulacionet, kockat, ligamentet, tendinat dhe muskujt. Sëmundjet reumatizmale quhen gjithashtu sëmundje muskulo-skeletike. Shumë njerëz përdorin termin artritis, duke iu referuar të gjithë sëmundjeve reumatizmale. Artritis në të vërtetë do të thotë inflamacion i artikulacioneve e cila është simptomë e këtyre sëmundjeve. Artriti në kuptimin e thjeshtë të tij duhet kuptuar si dhimbje, inflamacion dhe dëmtim i artikulacioneve. Në sëmundjet reumatizmale përfshihen rreth 200 patologji të ndryshme, që varijojnë nga llojet e ndryshme të artriteve, te osteoporoza dhe deri te sëmundjet sistemike të indit lidhor.

Fushata Botërore për Artritin

Dita 12 Tetor është Dita Boterore e Artritit, e cila është vendosur që në vitin 1996 dhe mbështetet nga EULAR, i cili është organizmi më i lartë shëndetësor për sëmundjet e reumatizmës. Dita Botërore e Artritit është një iniciativë globale për të ndihmuar të gjithë njerëzit që vuajnë nga këto patologji dhe për t’i sensibiluar ato për t’u përkujdesur për shëndetin e tyre.

Sëmundjet reumatizmale në përgjithësi klasifikohen në inflamatore dhe jo inflamatore.
1- Sëmundjet reumatizmale inflamatore më të shpeshta janë: artriti reumatoid, spondiliti ankilozant, sëmundjet sistemike autoimune të indit lidhor, artriti reaktiv, artriti psoriatik, polimialgjia reumatika.
2- Sëmundjet reumatizmale joinflamatore më të shpeshta janë: sëmundjet degjenerative të kolonës vertebrale, osteoartrit, osteoporoza dhe fibromialgjia.

Sëmundjet reumatizmale prekin ¼ e popullsisë të Europës, rreth 120 milion njerëz. Mund të themi se pothuajse çdo familje në Europë ka një anëtar të saj me sëmundje reumatizmale. Këto sëmundje prekin si meshkuj ashtu edhe femra, të të gjitha moshave përfshirë edhe fëmijët. Megjithatë disa sëmundje reumatizmale janë më të shpeshta në disa grupe të caktuara njerëzish. Femrat janë më të prekura nga sëmundjet e artritit reumatoid, fibromialgjisë, lupusit, ndërkohë që meshkujt janë më të prekur nga spondiloartropatit dhe guta. Sëmundjet reumatizmale janë shkak i parë i paaftësisë së përkohshme për punë dhe invaliditetit të parakohshëm, në mbarë botën. Këto sëmundje kanë koston më të lartë në sistemin socio-ekonomik europian. Këto shpenzime bëhen për diagnozën, mjekimin, barnat, kujdesin, mjetet për invalidët, modifikimet e banesave, për studime shkencore etj. Ulja e aftësisë për punë dhe mungesat në punë, kontribojnë gjithashtu në këto shpenzime. Nëqoftëse nuk mjekohen sëmundjet reumatizmale bëhen shkak për vdekje të parakohshme.

Diagnostikimi

Personat me sëmundje reumatizmale shpeshherë diagnostikohen me vonesë, psh fibromialgjia nuk diagnostikohet në 3 nga 4 të sëmurë dhe diagnoza përfundimtare vendoset mesatarisht pas 5 vitesh të shfaqjes së sëmundjes. Diagnostikimi i hershëm është çelsi i parandalimit të dëmtimeve, por vonesa apo mosdiagnostikimi ndodh shpesh te këta të sëmurë. Nëse këta pacientë nuk mjekohen si duhet aftësitë fizike, cilësia e jetës dhe aktiviteti ditor reduktohen. Për një diagnozë të hershme është e rëndësishme të njihen simptomat e këtyre patologjive. Në shumë raste, sëmundjet reumatizmale mund të jenë të trashëguara, gjithsesi një histori familjare me këtë sëmundje nuk domethënë që patjetër do trashëgohet nga familjarët e tjerë. Këto patologji mund të influencohen nga faktorë që lidhen me stilin e jetesës si psh duhanpirja, mbipesha, jeta sedentare, mosha e rritur, punë të rënda fizike që çojnë në dëmtime të muskujve dhe artikulacioneve. Në mjaft raste shkaqet e këtyre patologjive mbeten të panjohura.

Simptomat dhe mjekimi

Faza e parë në menaxhimin e çdo sëmundjeje është njohja me simptomat dhe ndihma nga mjeku specialist. Inflamacioni në artikulacione karakterizohet nga edema, ngurtësimi, skuqja dhe nxehtësia. Përjetohen dhimbje të vazhdueshme artikulare dhe muskulare, dhimbje që shtohen në prekje apo gjatë lëvizjeve të artikulacioneve, dobësi të theksuar trupore, lodhje të shpejtë, ngurtësim dhe kufizim të lëvizjeve, deformim të artikulacioneve si edhe simptoma të tjera që lidhen me dëmtime të organeve. Ka edhe simptoma të cilat mund të mos vihen re si depresioni dhe ankthi. Në disa raste mund të shfaqet edhe temperaturë. Pas shfaqjes së shenjave të sëmundjeve reumatizmale duhet vlerësimi nga mjeku reumatolog, sa më shpejt për të filluar mjekimin e duhur. Fillimi i hershëm i mjekimit, përkatësisht në 12 javët e para mund të parandalojë dëmtime të organeve dhe të sistemit muskulo-skeletik, të përmirësojë funksionin për kohë të gjatë dhe të arrijë remision të sëmundjes. Mjekimi kërkon një bashkëpunim shumë të ngushtë mjek-pacient, duke u konsultuar me protokollet mjekuese të hartuara për këto patologji, por duke i adaptuar rast pas rasti pacientëve të veçantë. Nuk ekziston një mjekim ose bar i vetëm që të jetë optimal për çdo të sëmurë. Mjaft sëmundje reumatizmale mjekohen me barna të quajtura modifikues të sëmundjes, të cilët veprojnë direkt mbi mekanizmat patogjenetik të këtyre patologjive. Ndryshe nga barnat antiinflamatore, të cilët vetëm reduktojnë simptomat, barnat biologjike janë ato më rezultative midis mjaft alternativave mjekuese. Injeksionet intraartikulare ose në indet e buta, mjekësia alternative, mjekimi me barna natyrale bimore dhe kirurgjia janë opsione të tjera të trajtimit. Rezultatet e mjekimit nuk janë të njëjta por varijonë nga njëri pacient te tjetri.

Këshilla për pacientët

Shumë nga këto sëmundje kanë prejardhje trashëgimie të cilën nuk e ndryshojmë dot, por mund të ndryshojmë stilin e jetesës. Duhet shmangur duhanpirja, duhet kontrolluar pesha fizike e trupit mos të kalohet në mbipeshë, duhet konsumuar një dietë e ekuilibruar, duhet kryer aktivitet fizik. Gjithmonë pacienti paralelisht duhet të jetë edhe nën trajtimin e mjekut specialist. Propacientit.com