Dalin të dhënat/ Rusia shton raketat e avancuara në Kaliningrad si përgjigje ndaj SHBA-së

Rusia mund të dërgojë më tepër raketa më të avancuara në Kaliningrad, në përgjigje të vendosjes së fundit të ushtrisë amerikane në Baltik dhe Poloni, kanë raportuar mbrëmë agjencitë ruse të lajmeve, duke e cituar një ligjvënës të njohur të Rusisë.

Ligjvënësi, Vladimir Shamanov, kryesues i Komitetit të mbrojtjes së Dhomës së Ulët të Parlamentit të Rusisë, ka thënë se Moska mund të vendos sisteme shtesë raketore të tipit, Iskander, në territoret e veta perëndimore, përfshirë Kaliningradin, që është enklavë ruse në kufi me anëtarët e NATO-s, Poloninë dhe Lituaninë.

Shamanov tha se lëvizja do të bëhej në përgjigje të vendosjes së një brigade të blinduar të Shteteve të Bashkuara në Poloni, për të cilën tha se është “e ndaluar kategorikisht nga marrëveshjet ndërkombëtare”, kanë raportuar agjencitë ruse të lajmeve, Interfax dhe TASS.

Raketat e tipit Iskander kanë rreze të veprimit deri në 500 kilometra dhe janë me precizitet të lartë, duke mundësuar që t’i arrijnë caqet në disa shtete anëtare të NATO-s.

Ato mund të pajisen me koka atomike ose konvencionale.

Komentet e ligjvënësit Shamanov u bënë derisa Moska i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se ilegalisht po i vendosin forcat e tyre në Poloni dhe rajonin e Baltikut, duke thënë se në mënyrë të heshtur e ka vendosur një divizion të tërë, që paraqet shkelje të marrëveshjes kryesore e cila i rregullon raportet e Rusisë me NATO-n.

Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja i kanë hedhur poshtë këto akuza të Rusisë.

Zëdhënësi i Ministrisë së mbrojtjes, Igor Konashenkov, ka thënë se trupat e Shteteve të Bashkuara nga Brigadat luftarake të blinduara kanë lëvizuar nëpër rajon dhe se njëra prej tyre në heshtje është vendosur në Poloni, gjatë ushtrimeve ushtarake Zapad 2017 të Rusisë, që janë mbajtur muajin e kaluar në Bjellorusi.

Po ashtu, ai ka theksuar se janë vendosur makina të blinduara ushtarake, që mund të përdoren nga ushtarët amerikanë në bazën e Shteteve të Bashkuara në Ramstein të Gjermanisë.

“Pra, përkundër deklaratave nga NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara për natyrën jo të rëndësishme të përqendrimit të trupave përgjatë kufirit rus, është vendosur një divizion i mekanizuar e jo brigadë”, tha Konashenkov.

Mëtutje, ai ka theksuar se perëndimi e ka pritur ushtrimin Zapad 2017 me “histeri të paprecedente”, duke tërhequr vërejtjen se ky ushtrim paraqiste “kërcënim rus” të ripërtrirë për shtetet e NATO-s, që janë në kufi me Rusinë, por në fakt ai tha se “histeria” ishte organizuar si “perde tymi” për ta mbuluar operacionin e Pentagonit.

Piers Cazalet, njëri prej zëdhënësve të NATO-s, i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se “NATO-ja plotësisht e respekton” marrëveshjen NATO-Rusi.

“Çfarëdo akuze se NATO-ja po e shkel marrëveshjen ose premtimet e veta, është i pavërtetë”, tha Cazalet. Sipas tij, vendosja e 4 mijë ushtarëve të NATO-s në pjesën lindore të Evropës, pas anakesimit të Krimesë së Ukrainës, në vitin 2014, nga ana e Rusisë, dhe “vendosjet shtesë bilaterale nga Shtetet e Bashkuara, janë nën çfarëdo definimi të arsyeshëm të forcave substanciale luftarake të përmendur në Aktin e Themelimit NATO-Rusi”.

Zëdhënësi Piers Cazalet tha se aksionet e NATO-s janë “mbrojtëse, proporcionale dhe plotësisht në linjë me përkushtimet ndërkombëtare”. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Poloni ka thënë se nuk është bërë shkelje e marrëveshjes dhe se prania e ushtarëve amerikanë në këtë vend është rotative dhe ushtarët e zëvendësojnë njëri-tjetrin për çdo nëntë muaj./rel/