Diplomati holandez: Jam i zhgënjyer me EULEX-in

Ish-përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Pieter Feith beson se ka pasur përparim të pamjaftueshëm në biseidmet midis Beogradit dhe Prishtinës.

I pyetur se si e sheh gjendjen në Kosovë dhe dialogun dypalësh nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Feith në një intervistë për agjencinë serbe Tanjug, tha se se është i zhgënjyer me rezultatet e punës së EULEX-it, si dhe nga dialogu ende nuk ka asgjë konkrete.

“Që nga viti 2008, qëllimi ishte forcimi i sundimit të ligjit, edhe pse shumë është bërë, ende nuk kemi arritur qëllimin, gjë që ngadalëson shanset e Kosovës në rrugën drejt BE”, ka thënë diplomati holandez.

Sipas tij, e vetmja mënyrë që Ballkani Perëndimor të anëtarësohet në BE është të tejkalohen problemet mes fqinjëve, duke shtuar se ka shumë punë për t’u bërë.

Ai ka shprehur shqetësimin se edhe pas gjitha përpjekjeve të bëra që nga mesi i viteve 1990 për të kapërcyer armiqësinë dhe për të arritur pajtimin, nuk ka ardhur ende mirëqenia për qytetarët e vendeve në fjalë.