Dje priti penallti, sot merr “Honoris Causa”

Në takimin e djeshëm ai ishte heroi, pasi priti një penallti vendimtare, ku Skënderbeu mund të kishte lënë dy pikë në fushën e vet, përballë një rivali që në letër shihej i lehtë. Vetëm një ditë pas fitores me Laçin, portieri i Skënderbeut, Orges Shehi, do të marrë një titull nderi nga Universiteti i Korçës “Fan S. Noli”.

Në moshën 40-vjeçare, pas paraqitjeve të mira në Europa League, ku ka meritë të madhe në kualifikimin e ekipit në grupet e këtij kompeticioni, Shehi do të nderohet me titullin nga “Honoris Causa” nga universiteti ku ka qenë edhe vetë student.

Këshilli drejtues i Universitetit të Korçës, në unanimitet të plotë, vendosi dhënien e këtij çmimi, dhe në ceremoni do të marrin pjesë artistë, akademikë e figura të shquara të qytetit të Korçës. Pas ceremonisë, sërish stërvitje, Shehi do të jetë në fushë ndaj Lushnjës të dielën dhe të enjten në “Elbasan Arena” ndaj Partizani Beograd.