Duka: Panucci kaloi “klasën”, Shqipëria drejt “Euro 2020”

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka analizuar eliminatoret e fundit të Botërorit, si dhe punën e trajnerit në 4 ndeshjet e para në stol. Duka ka dalë sot në një konferencë për shtyp para gazetarëve, ku dhënë përgjigje edhe për shumë çështje të tjera lidhur me futbollin shqiptar.

“Dy ndeshjet e fundit kualifikuese mund të mbylleshin më mirë nga pikëpamja e rezultatit, por në total, në këtë edicion, përkufizimin duhet ta japin më mirë ata që e mbështesin ekipin kombëtar. Personalisht, në total do ta konsideroja një edicion pozitiv. Kemi zhvilluar 10 ndeshje, kemi arritur një vend në klasifikim, të tretin, më të mirin e Shqipërisë në kualifikueset e Kupës së Botës.

Pengjet janë dy ndeshje, ajo me Izraelin në shtëpi dhe sfida e fundit me Italinë, ku mund të merrnim një pikë. Jam i kënaqur për punën e trajnerit të ri, Panucci, që ka bërë maksimumin gjatë kësaj periudhe në drejtim të kuqezinjve. Në të tërën, gabimet nuk kanë qenë të mëdha. Ka qenë një paraqitje e mirë, ndoshta një lojë jo e mirë, por futbolli është cinik. Duhet të shohim lojën e zhvilluar dhe rezultatet.

Në total, është bërë një punë e kënaqshme. Fatkeqësi e Panuccit dhe e stafit të tij që kishte dy kundërshtarë shumë të fortë në fund, edhe pse ndoshta e meritonim një pikë me Italinë. Shqipëria i ka shanset për të qenë sërish prezente në Europian, por edhe për një vazo më lart në short.

I kam hedhur një sy ndarjes së grupeve të “Nation League” dhe mendoj se objektivi i Shqipërisë është jo grupi C, ku gjendemi, por grupi B. Në asnjë rast nuk mund të mendojmë të jetë në grupin C. Ne kemi mundësi reale për të marrë pjesë në mënyrë të vazhdueshme dhe në ndonjë rast në Botëror.

Ndeshjet e fundit kanë konfirmuar se Shqipëria është ekip i fortë dhe kompetitiv. Mungesa e lojtarëve të Superiores në kombëtare? Rasti Lilaj? Janë zgjedhje të trajnerit. Kemi shpesh raste kur lojtarë të nivelit të lartë mbeten jashtë Kombëtares, sepse konkurrenti i tij është akoma më cilësor, ndaj janë zgjedhje që varen nga momenti dhe pozicioni.

Jo vetëm Lilaj, por edhe lojtarë të tjerë nga kampionati shqiptar mund të afrohen dhe në ndeshjet e nëntorit. Trajneri do të provojë. Tifozat Kuq e Zi kanë braktisur ndeshjet e kombëtares në shtëpi? Për mua është e rëndësishme që të gjithë të tejkalojnë problemet për një qëllim të përbashkët, mbështetjen e Kombëtares. E pranoj si problem bojkotin e Tifozave Kuq e Zi në këtë edicion. Arsyet kryesore nuk varen nga FSHF-ja. Nuk dua të fajësoj asnjë institucion tjetër, sepse bëjnë detyrën e tyre.

Ai që dëmtohet është ekipi kombëtar. Duhet të tejkalohet edhe diçka që mund të të ketë cënuar, si në rastin e Tifozave Kuq e Zi. FSHF-ja është organizatë sportive dhe nuk siguron kontrollin apo jo të njerëzve në stadium. Mund të kesh të drejtë, por qëillimi është më i madh. Ky tifo-grup e ka mbështetur gjthmonë e kudo Kombëtaren, ndaj uroj që të ketë përfunduar ai bojkot. Na duhet ta fillojmë mbarë edicionin e ardhshëm, të gjithë bashkë.

Kombëtarja U-19 pësoi tri humbje së fundi? Të them të drejtën prisnim më shumë nga kjo Kombëtare. Rezultatet nuk ishin të mira, ndaj do të ketë, diku nga fundi nëntorit, një lloj analize, ku do të vihen detyra për të ardhmen, – nënvizoi kreu i futbollit shqiptar, i cili nuk harroi edhe ndryshimin në drejtimin e kombëtares së madhe.

“Kemi ndryshuar stafin teknik për eleminatoret e Botërorit 2020. Vlerësoj me nota pozitive të gjithë stafin, mbi të gjitha lojtarët. Nuk duhet harruar De Biasi. Euforia pas ‘Euro 2016’ na ka bërë dëm, një ‘sëmundje’ që na ndoqi deri në ndeshjen me Izraelin. Pas këtij takimi pati ndryshim për mirë. Ekipi po përgatitet për miqësoret, që janë planifikuar një në nëntor dhe një në dhjetor.

Jemi ekip pretendent për kualifikueset e 2020. Çdo shqiptar që ka mundësi të kontribuojë për këtë ekip, ne do t’i japim mundësinë për të qenë pjesë e Kombëtares. Nuk do të ndryshojmë asnjë strategji. Të gjitha dyert janë të hapura. Ne jemi Kombëtarja e shqiptarëve”.