Episode të papërgjegjshme në Gjirokastër, portieri godet me grusht (Video)

Dy raste të papërgjegjshme në ndeshjen mes Luftëtarit dhe Kamzës, që natyrisht kanë ndikuar në rezultat, sidomos në fund. Kamza kaloi e para në avantazh me anë të Raçiç dhe kur duhej qetësia, vjen kartoni i dytë i verdhë për kroatin Fustar. Nëse do të ishte për luftë sportive, kuptohet që është brenda logjikës, por kartoni i dytë i verdhë për Fustar është marrë gjatë një zënke me shokun e skuadrës.

Sikur të mos mjaftonte ky episod, një tjetër i shëmtuar ka ndodhur në limitin e takimit. Siç tregojnë edhe pamjet, portieri Miraka i Luftëtarit, pasi zotëron topin, godet me grusht në bark Raçiç. Me të drejtë gjyqtari Sino akordon penallti dhe karton të kuq për portierin, pasi loja nuk ishte e ndaluar. Një veprim amator dhe i papërgjegjshëm, që ndodhin vetëm në futbollin profesionist shqiptar.

Në Lushnjë, vendasve u janë mohuar dy penallti, por të paktën njëri ishte flagrant, kur rezultati ishte 0-1 në favor të Kukësit. Edhe njëherë tjetër duket qartë favorizimi që i bëhet Kukësit në kampionatin shqiptar, që fitoi edhe titullin kampion nga episode arbitrale. Një penallti e dyshimtë është dhënë edhe në Shkodër, por gjithsesi, ajo ka vend për interpretime.