Fabrika që helmatisi Tetovën do të fillojë sërish punën

Fabrika ‘Jugohrom’ në Jegunovcë të Tetovës pritet që të fillojë kah mesi i vitit të ardhshëm, dhe pritet t’i ketë disa filterë për të shmangur ndotjen e ajrit.

Kjo u bë e ditur gjatë nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit mes qeverisë së Zaevit dhe ‘Jugohromit’, njofton Konica.al.

“Fabrika do të vazhdojë punën, pronari do të investojë në sistemin e pluhurit, që nënkupton vendosjen e filterëve. Qeveria është e përkushtuar në përshpejtimin e procedurave administrative”, ka thënë zëvendësministri për Çështje Ekonomike Koço Angjushev.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Jugohrom-it, Vasko Skenderovski ka siguruar se kjo fabrikë nuk do të punojë pa filterë.

Ai ka bërë me dije se investimi për sistemin e filtrave kushtoi 12 milionë euro.

Pas protestave disavjeçare të banorëve të Tetovës, fabrika ‘Jugohrom’ ndaloi prodhimin në nëntor të vitit të kaluar, duke lënë 800 punëtorë pa punë.

Menaxhmenti i fabrikës vendosi të përfillte vendimin e Inspektoriatit Mjedisor për shkak të dështimit për të respektuar në kohë ndërtimin e filtrave.