Gjermanët reagojnë: Gjykata Speciale nuk ka qëllime politike

Ambasada gjermane në Prishtinë beson se Gjykata Speciale është institucioni kyç gjyqësor në Kosovë që i kontribuon sundimit të ligjit.

Përfaqësia diplomatike e Berlinit në Kosovë ka theksuar se Gjykata Speciale në asnjë rast nuk ka qëllime politike.

Kjo gjykatë ‘në asnjë mënyrë nuk ëstë e ndërlidhur me qëllime politike përtej mandatit të saj”, thuhet në një deklaratë të nënshkruar nga ambasada gjermane, përcjell Konica.al.

Ambasada thekson se Gjermania në mënyrë të vazhdueshme ka përkrahur Kosovën në përpjekjet e saj për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare, si UNESCO dhe Interpol-i.

Deklarata nënvizon se kushtet për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës janë vendosur në mënyrë të qartë, që nënkuptojnë demarkacionin e vijës kufitare me Malin e Zi dhe luftën kundër korrupsionit, por, që, sipas komunikatës, këto nuk janë përmbushur ende.

Ky reagim i ambasadës së shtetit më të fuqishëm të BE-së vjen pak ditë pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ‘zbrazi’ një rrebesh kritikash në adresë të bashkësisë ndërkombëtare.

Sipas tij, Gjykata Speciale është pranuar nga Kosova në rrethanat e një imponimi dhe presioni ndërkombëtar, madje, sipas fjalëve të tij, bashkësia ndërkombëtare e ka tradhtuar Kosovën duke e bllokuar në procesin e liberalizimit të vizave.