“Gjyqtarët të ndikuar, punojnë për Safet Gjicin”

Lushnja humbi 0-2 në ndeshjen e djeshme me Kukësin dhe drejtuesit e saj drejtojnë gishtin te gjyqtarët dhe te presidenti i kampionëve, Safet Gjici. Në ndeshjen e djeshme ishin dy raste penalltie për Lushnjën, por kryesori Hamiti vazhdoi lojën.

Njëri nga drejtuesit kryesorë të klubit lushnjar, koordinatori Artur Çobani, një figurë shumë e njohur në qytet dhe më gjerë, ka folur drejtpërdrejt. Ai ka theksuar se gjyqtarët punojnë për Gjicin dhe se Lushnja nuk ka mundësi financiare t’i bëjë për vete.

“Nuk kemi mundësi t’i bëjmë për vete gjyqtarët. Safeti është më i zoti dhe e bën këtë gjë. Më vjen keq për ekipin, sepse po luan me sedër. E vë gishtin te Gjici, sepse nuk është rasti i parë. Dihet çfarë ka ndodhur me Kukësin edhe sezonin e kaluar. Në çdo ndeshje gjyqtarët janë protagonistë kur luan Kukësi dhe gjithnjë pro tij, asnjëherë kundër.

Janë ndeshjet me Skënderbeun dy herë, ndeshja me Teutën etj. Gjyqtari Hamiti është kandidat për stemën e FIFA-s dhe mendova se është i mirë. Dhe kur je i mirë dhe gabon, do të thotë që e bën me dashje. Dhe që të veprosh me dashje, do të thotë se je i ndikuar. Dyshoj shumë”, – theksoi mes të tjerash drejtuesi i Lushnjës, Çobani.