Haradinaj: Liberalizimi varet nga zbatimi i MSA

Kryeministri Ramush Haradinaj ka paralajmëruar se së shpejti do të gjendet e vërteta për vijën kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Në një tubim para simpatizantëve të AAK-së në fshatin Duzhnjë të Gjakovës, ai ka thënë se me zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim ‘do ta detyrojmë BE-në që të ketë lëvizje përpara në liberalizimin e vizave’.

Sipas tij, Qeveria me zbatimin e kësaj marrëveshje obligon institucionet dhe vendet e BE-së që ta vlerësojnë Kosovën dhe t’i heqin regjimin e vizave.

“Kemi të ndërlidhur liberalizimin me shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Ne nuk kemi humbur kohë, një komision ka shkuar në shtëpi, një komision tjetër ka filluar punë. Ky komisioni tjetër do ta gjejë të vërtetën. Është shkencë që ne i obligohemi si brenda ashtu edhe jashtë, e që janë faktet që çdo herë fitojnë. Kur t’i kemi edhe ato do t’i vijë zgjidhja kësaj çështje”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj.