Haradinaj premton heqjen e vizave deri në fund të vitit

Ndonëse Bashkimi Evropian vazhdon këmbënguljen për plotësimin e kushteve të mbetura, kryeministri Ramush Haradinaj beson se liberalizimi i vizave do të ndodh kah fundi i vitit.

Në një intervistë në emisionin ‘Rubikon’ në KTV, kreu i qeverisë së Kosovës ka thënë se po punon që qytetarët të mos presin gjatë për heqjen e regjimit të vizave.

“Ne jemi duke punuar në këtë drejtim. Nuk do të shkojë edhe shumë kohë e gjatë për të pritur për këtë proces. Unë besoj se në fund të këtij viti do ta kuptojmë se kur do të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka bërë të ditur se edhe çështja e demarkacionit, që po paraqitet si një nga kushtet për liberalizim, do të përfundojë shumë shpejtë.

Haradinaj ka përsëritur qëndrimin e tij se kufiri mes Kosovës dhe Malit të Zi duhet të jetë në Kullë të Zhlebit dhe në Qafë të Çakorrit.