Kapet 50-vjeçari që fshihte 64 kg kanabis në shtëpi

Një 50-vjeçar është vënë në pranga, pasi kishte fshehur në banesën e tij disa pako me lëndë të dyshuar narkotike, cannabis sattiva. Blutë e Tepelenës kanë prangosur shtetasin Muharrem Mino nga fshati Kurtëz, pasi në shtëpinë e tij u gjetën 64 kg kanabis.

“Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bashkëpunim me specialistët e seksionit të Hetimit të Narkotikëve në D.V.P. Gjirokastër, në banesën e shtetasit Muharrem Mino, në fshatin Kurtëz, Memaliaj, u gjetën disa pako me lëndë të dyshuar narkotike, cannabis sattiva.

Pesha totale e lëndës rezultoi 64 kg, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Nga specialistët e seksionit të Hetimit të Narkotikëve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Muharrem Mino, 50 vjeç, banues në fshatin Kurtëz, njësia administrative Buz, Memaliaj”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.