Kritikat e Vasilit/ Shpërthen Bushati: Është normale të kalosh në anën tjetër të tavolinës

Pas kritikave të parashtruara sot në Kuvend nga kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, lidhur me projektligjin për “Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”, një kundërpërgjigje ka ardhur nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati. Ky i fundit, nga foltorja e Kuvendit tha se Vasili në kohën që ka qenë Ministër i Drejtësisë, kur LSI ishte në koalicion me PS-në, ishte pro këtij projektligji.

“Kur ishte Ministri i Drejtësisë, kolegu u shpreh në favor të ligjit ku ishte anëtar i kabinetit qeveritar. Nuk kishte asnjë pakënaqësi. Është krejt normale kur njeriu kalon nga njëra anë në anën tjetër të tavolinës, të ndryshojë mendimin. Dje një koleg tjetër foli me tone kritike për censusin, ndërsa sot një koleg e mburri.

Konventa kuadër të Këshillit të Evropës përcakton qartë këtë ligj. Nuk ka koncept zonash minoritare. Nuk ka zonë minoritare. Sot për sot mbi bazën e standardeve ndërkombëtare, konventa flet për ato koncepte që pasqyrohen besnikërisht në ligj. Njohja e minoriteteve në këtë ligj nuk do të thotë se këto pakica kanë të njëjtën karakteristikë dhe të njëjtat të drejta dhe s’kanë dallime mes tyre”, tha Bushati.