Kryemadhi: Jemi penduar kur nuk ndaluam Ramën që bashkëpunonte me bandat

Kryetarja e LSI-së, çdo ditë e më shumë po tregohet e drejtpërdrejtë ndaj Ramës, e pas nuk ka lënë edhe pendesat. Ajo ka thënë se gabimi më i madh i kësaj force është se nuk reagoi në momentin e duhur, kur shihte që çdo ditë e më shumë policia po kapej nga krimi i organizuar. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, ajo ka shtuar se sot është shumë e vështirë jo vetëm për LSI dhe qeverinë, por edhe ka një kosto edhe më të madhe për shqiptarët. Kryemadhi mendon se akuzat e kryeministrit Rama ndaj ish-drejtuesve të kësaj partie në qeveri janë një mënyrë për të faturuar dështimet e tij në qeverisje.

“Është një kryeministër, i cili mund ta kishte ndalur këtë lloj llumi. Gjithmonë z. Rama është munduar të gjejë defektet ose mosrealizimet e punës së vet tek partnerët ose tek të tjerët. Meqënese z. Rama i ka kërkuar fajtorët te kolegët, kjo ishte dhe një nga arsyet që ne nuk pranuam të ishim më pjesë e llumit të Edi Ramës dhe keqqeverisjes”, shprehet Kryemadhi.

Në vijim ajo thekson se kur Ylli Manjani kërkoi ndërhyrjen e ushtrisë për ç’kanabizimin e Shqipërisë, Rama e shkarkoi nga posti ministror.

“Ndoshta këtu LSI duhet të kish qenë më e qëndrueshme, më e fortë, por për hir të marrëveshjeve dhe luajalitetit që LSI ka treguar gjithmonë në marrëveshjet e saj me partitë politike, mori këtë kosto për të qenë pjesë e kësaj bashkëqeverisje që ka pasur edhe gjëra të mira, jo vetëm të këqija. Gabimi më i madh i LSI është që ajo nuk reagoi në momentin, kur e shihte që çdo ditë e më shumë policia po kapej nga krimi i organizuar, ky ishte gabimi më i madh, se sot është shumë e vështirë jo vetëm për LSI dhe qeverinë, por edhe ka një kosto edhe më të madhe për shqiptarët”, tha ajo, raporton “Klanplus”.

Kryemadhi lë të hapur mundësinë e një koalicioni në zgjedhjet e ardhshme me PD-në.

“S’ka kush na ndalon për bashkëpunimin, jemi të hapur për bashkëpunim në luftë kundër krimit. Koalicioni më i rëndësishëm për ne është në shërbim të shqiptarëve”, shprehet ajo.