“Kur të shënojë Partizani, Skënderbeu ka ikur 10 pikë para”

Ish-portieri i Tiranës dhe i Partizanit, Blendi Nallbani, sheh rritje te bardheblutë, ndërsa ngjitjen as që e diskuton. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ai vlerëson Ze Marian dhe frymën e grupit, ndërsa nuk ngurron që të komentojë edhe Superioren, ku ka kritika ndaj Partizanit dhe vlerëson Skënderbeun.

TIRANA – “Tifozët janë pjesë e rëndësishme e Tiranës, por unë jam kundër ofendimeve. Tifozit nuk ia mbyll dot gojën, por është e shëmtuar kur kalon masën. Nuk i kuptoj akoma nëse po vijnë në stadium për të mbështetur Tiranën apo për të hapur ato parullat. Tifozi për mua është ai që të përkrah në ditë të vështira.”

PARTIZANI – “Ata bënë gjithë ato blerje. Morën Moggin, Iulianon, lojtarët paguhen me shifra tejet të larta, por të mos bësh një gol?! Nuk e di çfarë emri t’i vendos. Me thënë të drejtën, Skënderbeu është ekipi më i kompletuar. Nuk kanë kundërshtarë. Është fakt i kryer. Marrin pjesë në Europë dhe marshojnë në Superiore. Kur të kujtohet Partizani të bëjë një gol, ka ikur ai tjetri 10 pikë para.”