Kush ia mbyll gojën Partisë Demokratike?

Nga Blendi Fevziu

Kush ja ka mbyllur gojën Partisë Demokratike? Kjo është pyetja më normale që do bënte çdo qytetar që beson që vendi po qeveriset keq nga mazhoranca e majtë. Por jo vetëm ai. Edhe çdo qytetar që beson se një opozitë e fortë është e domosdoshme për vendin. Madje edhe një i majtë, që e kupton se një qeveri që ka përballë një opozitë reale është më e përgjegjshme dhe e kujdesshme.

Opozita po flet, mund të përgjigjet dikush! Madje mund të sjellë edhe shembullin e ditës së enjte në parlament. Mund edhe të referojë  përjashtimin e Bashës po atë ditë nga parlamenti.

Vetë deputetët dhe opozitarët e tjerë të PD mund të tregojnë që po punojnë. Dalin në mëngjes në punë dhe kthehen mbasdite. Pra ata janë në punë. Dalin edhe në Tv dhe recitojnë po atë tekst. Shkruajnë edhe statuse në facebook.

Por opozita e PD është në mos inekzistente, fare e zbehtë. Këtë e ndjen kudo dhe kjo është realisht një fatkeqësi. Jo se nuk flet, por fjala e saj nuk po sjell besim dhe kjo është akoma më fatale.

Dita e enjte ishte shembulli më i mirë për të ilustruar këtë bindje. Pra opozitën e zbehtë, me të cilën sot, ekzaltohen vetëm përfaqësuesit e qeverisë.

Të enjten, unë dhe besoj çdo qytetar i Shqipërisë ka besuar se Rama do kryqëzohej në parlament pas deklaratave të ambasadorit amerikan për krimin në Shqipëri. Unë besoja se ai do të thirrej për interpelancë dhe do t’i kërkohej llogari që ende sot, javë të tëra pas ngjarjeve në Elbasan, Vlorë e Durrës nuk ka asnjë reagim zyrtar. Unë besoja se atij do ti kërkohej llogari se kush janë 4 klanet mafioze dhe kush janë 20 familjet kriminale që drejtojnë sot Shqipërinë?

Unë besoja se PD do të ftonte publikisht LSI që të ngrinin një front të përbashkët opozitar kundër mazhorancës të enjten për të kërkuar me alarm atë që përfaqësuesi i SHBA e tha zyrtarisht në Tiranë. Dhe atë që shtypi po e thotë me kurajo përditë.

Por PD nuk tha asgjë. Hyri në një problem procedurial, shumë të rëndësishëm, por shumë më pak të rëndësishëm se sa kërcënimi nga krimi. Dhe jashtë kontekstit që prodhuan deklaratat e LU.

Ende sot nuk kuptohet se përse PD ja “fali” Ramës kritikat e Lu dhe perse nuk flet më ashpër për krimin?

Do kishte sens që foltorja të bllokohej nëse Kryeministri nuk fliste për këtë gjë; do kishte sens që opozita të mos dilte prej aty pa marrë një përgjigje të saktë. Por shmangia e temës së ditës, në mos një tolerim i menduar është një gafë. Opozita nuk bëhet me kalendar! Temat nuk përcaktohen një herë në vit, por ndjekin zhvillimet aktuale në vend. Ndryshe, është opozita ajo që po zbaton porosinë që Rama ju dha dje deputetëve të tij: me opozitën silluni në frymën e marrëveshjes së 18 majit! Ky vend nuk bëhet më i mirë nga cilësia e qeverisjes! Ky vend bëhet më i mirë nga cilësia e opozitës.