Librat që duhet të lexoni patjetër këtë vjeshtë/dimër

Stina e vjeshtës, së bashku me shirat, të ftohtin, ndryshimin e kohës dhe humorit, do t’ju bëjë më të dashur dhe të afruar me librat. Konica.al ju sugjeron disa nga librat me të mirë të përshtatshëm për këtë stinë. Nga trilleri, suspansa, dashuria, vrasja e deri tek romantika, këta libra do t’ju largojnë paksa nga realiteti i përditshëm duke ju bërë të përjetoni ngjarje e histori të pabesueshme.

“Vrasje në Orient Ekspres” nga Agatha Christie

Vetëm pas mesnatës, treni i famshëm “Orient Express” ndalon për shkak të dëborës. Në mëngjes, milioneri Samuel Ratchett gjendet i vdekur në vagonin e tij, i goditur dhjetëra herë, dhe me derën e tij të mbyllur nga brenda. Një nga pasagjerët e tjerë duhet të jetë vrasësi. I izoluar nga stuhia dhe me një vrasës në mes tyre, detektivi Hercule Poirot duhet të gjejë vrasësin midis qindra njerëzish para se vrasësi të vendosë të godasë përsëri…

“Kujtim kurvash të trishta” nga Gabriel Garcia Marquez

Kujtim kurvash të trishta rrëfen jetën e një të moshuari vetmitar, një të apasionuari pas muzikës klasike, aspak i prirur ndaj fatjllësave dhe plot huqe. Prej tij do të mësojmë se si në të gjitha aventurat e tij të seksit (që nuk kanë qenë pak) përherë ka dhënë para në shkëmbim, por nuk e ka përfytyruar asnjëherë se në këtë mënyrë do të gjente dashurinë e vërtetë. Ky roman, i vetmi i Gabriel Garcia Marquez-it në këta dhjetë vitet e fundit, është një përsiatje mallëngjyese që kremton gëzimet e të dashuruartit, taksiratet e pleqërisë dhe mbi të gjitha atë çka ndodh kur seksi dhe dashuria bashkohen për t’i dhënë një kuptim ekzistencës.

“Çështja e çuditshme e dr.Jekyll dhe Mr.Hyde” nga Robert Louis Stevenson

Portretizimi inteligjent dhe i ndjeshëm i natyrës së dyfishtë të njeriut e zbulon në këtë rast Stevensonin si një shkrimtar mjeshtëror dhe origjinal, fuqia e të cilit, megjithëse kohët kalojnë, të mbetet gjatë në kujtesën tënde.

 

“Hija e erës” nga Carlos Ruiz Zafon

Jeta e Danielit, djalë i një librashitësi, do ndryshojë pas vizitës që do bëjë me të atin në varrezën e Librave të Harruar. Nga ky çast, ngjarjet e mistershme të së kaluarës do të pasqyrohen në të tashmen.

“A të kam folur ndonjëherë për erën e Veriut” nga Daniel Glattauer

A ka mundësi të ekzistojë në realitetin e përditshëm një strehë më e mbrojtur për ndjenjat më të thella se ajo virtuale? “Emi më shkruan. Të shkruash është si të puthësh, veçse pa buzë.”

“Koha e dashurisë” nga Ismail Kadare
Tri kohët që pasojnë këtu si tri akte të një tragji-komedie: “Koha e shkrimeve”, “Koha e parasë” e pastaj “Koha e dashurisë”, tregojnë për adoleshencën e shkrimtarit, tri dështime të njëpasnjëshme, në një atmosferë groteske dhe nganjëherë patetike. Tri dështime që iu korrespondojnë tri poleve tërheqëse të adoleshentit Kadare e që janë vazhdim i natyrshëm i “Kronikës në gur”, sepse kuadri është gjithnjë Gjirokastra, kur Kadareja ishte dymbëdhjetë -pesëmbëdhjetë vjeç e personazhet – ata që kanë mbijetuar nga lufta – janë gjithmonë aty: tregimtari, Iliri, hallë Xhemoja…