Në Maqedoni dhe Bosnjë nuk besohen mediat, në Shqipëri dhe Kosovë po

Media në Maqedoni është e varur prej ndikimeve politike, por edhe është e korruptuar.

Të paktën këto janë të gjeturat e një hulumtimi të ‘Balkan Barometer 2017’ mbi ndjesimet e qytetarëve në Maqedoni mbi çështjen e mediave, përcjell Konica.al.

Sipas hulumtimit, rreth 72 për qind të qytetarëve të Maqedonisë pajtohen pjesërisht ose tërësisht se media është e varur nga ndikimet politike, 23 për qind e mohojnë një gjë të tillë, kurse 3 për qind kanë zgjedhur të mos përgjigjen.

Në Maqedoni, 42 për qind e njerëzve besojnë se mediat janë të fuqishme për të kontrolluar qeverinë dhe për ta bërë të përgjegjshme ndaj qytetarëve, kurse 55 për qind të tjerë mendojnë se media nuk e ka këtë fuqi.

Në lidhje me çështjen nëse mediat janë të varura dhe të dyshuara për korruptim, 73 për qind e respodentëve në Maqedoni janë përgjigjur pozitivisht.

Rezultate të tilla mosbesuese janë gjetur edhe në Bosnjë, ku 80 për qind e njerëzve mendojnë se media është e korruptuar.

Krejt ndryshe në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi, pjesa më e madhe e të anketuarve besojnë se mediat nuk janë të korruptuara.

Ky hulumtim i gjërë është shpalosur në Bruksel, me gjithsej 8 mijë respodentë në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Kroaci, Mal të Zi dhe Turqi.