Nokës nuk i del inati me Ramën: O rrugaç, nuk e pranoj këtë drejtim Kuvendi

Në mbledhjen e sotme të Byrosë, po diskutohet kërkesa e PS-së për përjashtimin me 10 ditë të deputetit Flamur Noka nga punimet e Kuvendit. Pasi ka lënë ambientet e Kryesisë së Kuvendit, deputeti demokrat Flamur Noka tha para mediave se ai nuk ka shkelur Rregulloren e Kuvendit, por sipas tij, ka qenë Rama ai që ka folur me fjalor rruge.

“Turpi i këtij Parlamenti sot është të përjashtosh një deputet, pse kërkon fjalën për procedurë dhe institucion për një të drejtë të tij, sipas rregullores. Neni 49, pika një e Rregullores së Kuvendit, thotë se kur një deputet kërkon fjalën për procedurë, ajo jepet menjëherë. Ju e patë që deputeti Noka kërkoi fjalën për procedurë, as më pak, as më shumë, e vetmja gjë që bëra tepër është që insistova. Dëgjova një kryeministër në sallë që fliste me një zhargon rruge.

Kërkova fjalën për procedurë që t’i kërkoja kreut të Kuvendit që t’i tërhiqte vëmendjen kryeministrit të mos fliste me zhargon rruge, ndërsa ai në vend që ta bënte këtë, përjashtoi deputetin.

Këtë që po e them tani ia paraqita me zë e figurë para Byrosë Parlamentare”, u shpreh Noka.

Ai tha më tej se qëndrimi i opozitës në seancën e nesërme plenare i takon grupit parlamentar të PD.

“Unë nuk kam fyer asnjë njeri, por kam dalë nga ajo sallë i fyer shumë, pasi të drejtën që më ka dhënë rregullorja, ma ka mohuar vazhdimisht kryetari i Kuvendit. Nëse e quani fyerje insistimin, e pranoj që paskam bërë fyerje. Fjala rrugaç i drejtohet atij që përdori fjalor rruge në Kuvend, pasi kur jemi në sallë duhet të flasim në mënyrë të kulturuar, dhe jo me fjalor rruge, gjë që e bëri kryeministri.

Pëshpëritjen nga pas foltores së Kuvendit e ka ves të vjetër. Dhe kryetari i Parlamentit, pa mbledhur Byronë Parlamentare vendosi të mos pranojë kërkesën e opozitës për përjashtimin e kryeministrit. Qëndrimi për seancën e nesërme i takon grupit parlamentar të PD. Nuk e pranojmë këtë drejtim banditesk të Kuvendit”, u shpreh Noka.