Pacolli: Serbët në Kosovë janë pakica me të drejtat më të mëdha në Evropë

Ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli, në një intervistë për gazetën serbe ‘Blic’, ka thënë se Ballkanit i duhet stabilitet dhe se Serbia duhet të luajë rolin e saj konstruktiv.

Që të jetë faktor i paqes, Serbia, sipas tij, duhet fillimisht të ballaaqohet me realitetin, përcjell Konica.al.

I pyetur se cila do të ishte zgjidhja që do t’i linte të kënaqura të dyja palët, Pacolli ka thënë se ajo është respekti dhe bashkëpunimi i ndërsjellë si dhe pranimi i realitetit se janë dy vende që duhet të ndërtojnë të ardhmen për qytetarët e tyre.

Kreu i diplomacisë së Kosovës ka përsëritur vlerësimin e tij të para 10 viteve se Serbia ka qenë gjithmonë faktor në rajonin tonë, por ka shtuar se për fat të keq, ‘ajo ka qenë faktor i shkatërrimit dhe gjakderdhjeve në shekullin e njëzetë’.

Ai ka shtuar se serbët janë popull i mirë, por ata që kanë kryer krime gjatë luftës duhet të dalin para drejtësisë.

I pyetur se çfarë do të bëjë qeveria e Kosovës për të përmirësuar gjendjen e serbëve, Pacolli ka thënë se serbët që jetojnë në Kosovë kanë të drejtat më të mëdha nga të gjitha komunitetet jo-pakicë në Evropë.

Këtë e ka ilustruar me Kushtetutën e Kosovës, ku në preambulën e saj theksohet se qeveritë do të përmirësojnë respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, veçanarisht të drejtat e komuniteteve.

Sa i përket çështjes së Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, ai ka theksuar se ky mekanizëm do të krijohet shumë shpejtë dhe në përputhje me Kushtetutën.