Partizani përmbys Teutën, Skënderbeu bën detyrën (Video)

Kanë ardhur golat e parë dhe fitorja e parë e Partizanit në kampionat. Pas katër javësh “thatësirë” sa u përket golave, ekipi i kuq është zhbllokuar në javën e pestë në Durrës, në një ndeshje plot episode, ku fitorja ka ardhur me përmbysje. Dosti i Teutës ka shënuar një gol shumë të bukur me një goditje dënimi në minutën e 17-të. Vetëm pak minuta më pas Teuta ka mundësinë të mbyllë ndeshjen, por Lena gabon nga pika e bardhë e penalltisë.

Ndërsa më pas durrsakët shënojnë përsëri, por anulohet për jashtë loje. Kur u duk se pjesa e parë përfundoi me avantazhin e Teutës, Partizani ka ndëshkuar në fundin e saj me anë të Trashit, pas një goditje me kokë. Këtu marrin zemër të kuqtë dhe në dytën luajnë më mirë. Ndeshja ishte shumë aggressive, për të ardhur te momenti ndryshimit të ndeshjes.

Një futbollist i Teutës kthen topin te portieri dhe Moçka e kap me dorë. Ka goditje dënimi me dy takime afër pikës së penalltisë. Goditja ekzekutohet, por arbitri e kthen. Në tentativën e dytë, pret Moçka, por më pas Shehaj ndal topin me dorë. Ka penallti dhe Shehaj del me të kuq. Gjuan Sukaj dhe shënon për Partizanin, 1-2. Më pas të kuqtë mbrojnë fort fitoren dhe ngjiten në kuotën e 5 pikëve. Shpëton edhe trajneri Iuliano nga shkarkimi.

Në ndeshjen tjetër, Skënderbeu ka marrë një fitore me shumë vuajtje ndaj Laçit, me rezultatin 2-1. Vendasit kishin mundësi të shumta shënimi gjatë ndeshjes, por rezultati u zhbllokua nga një ish-lojtar, Souza, i cili e dërgoi topin në portën e tij në 27’. Laçi barazoi me Lushkjan në pjesën e dytë (58’), por reagimi i korçarëve ishte i menjëhershëm me Jashanicën. Gjithsesi, Laçi nuk dorëzohet dhe ka një mundësi të artë për të shënuar nga penalltia, por Ansi Nika gabon, teksa Shehi bën dy pritje fantastike. Skënderbeu kryeson renditjen me 13 pikë pas 5 javësh.

Standings provided by Sofascore LiveScore