Pas akuzave për ngacmime seksuale, producentin Harvey Weinstein e heqin nga “BAFTA”

Organizuesit e çmimeve Oscar përgatiten për bisedime urgjente mbi të ardhmen e manjatit të filmit Harvey Weinstein pas shpërthimit të skandalit mbi ngacmimet e tij seksuale, të shtrira në dekada të tëra.

Akademia e Arteve dhe Shkencave deklaroi se akuzat e ngritura ndaj producentit të famshëm flasin për një sjellje të neveritshme nga ana e 65-vjeçarit. Bafta, Akademia Britanike e Filmit dhe Arteve Televizive e ka pezulluar tashmë anëtarësimin e tij.

Ish-kandidatja presidenciale e Partisë Demokrate në Shtetet e Bashkuara, Hillary Clinton i tha CNN se ajo që doli në dritë mbi Weinstein e bëri të ndihej keq dhe u zotua t’i dhurojë për bamirësi të gjitha paratë e mbledhura prej tij për të gjatë fushatës. Weinstein mendohet të ketë grumbulluar më shumë se 1.4 milionë dollarë për grupet demokrate dhe republikanët i kanë akuzuar se nuk bënë sa duhet për t’u distancuar nga producenti i turpëruar publikisht.

Një stuhi reagimesh pasoi lajmin e “New York Times” që tregoi fytyrën tjetër të kësaj figure aq të rëndësishme në Hollivud. Por, sa ishte parajsa e filmit realisht në dijeni të veprimeve të tij? Meryl Streep, e cila e përshkruante Weinsteinin jo thjesht si mik të ngushtë të vetin, por si një “perëndi të vërtetë”, nxitoi të deklaronte se jo të gjithë e dinin. Megjithatë, janë të shumtë personat që e kanë të vështirë ta besojnë se asnjë prej të njohurve të pafund të producentit nuk kishte dijeni mbi abuzimin e shëmtuar të tij me pushtetin e ngacmimet e bëra thuajse hapur që dëshmonin zhdërvjelltësinë e një njeriu të mësuar me pandëshkueshmërinë.

/ Top Channel