Postimi i të ndjerit Dritan Prifti: Lutjuni Zotit që ta kaloj shpejt këtë sëmundje!

Ish-ministri i Energjetikës Dritan Prifti u nda nga jeta në moshën 49-vjeçare pasi vuante nga sëmundja e leuçemisë.

Prifti kurohej prej më shumë se një viti në Itali dhe Gjermani, por nuk kishte përmirësime.

Për shkak të sëmundjes së rëndë, ai ishte tërhequr edhe nga politika dhe këtë e ka bërë të ditur në një postim në Facebook më 30 prill, përpara zgjedhjeve të 25 qershorit.

Postimi i Dritan Priftit në Facebook para zgjedhjeve të 25 qershorit:

Përshëndetje miqtë e mi.
E di që jeni kuriozë të dini nëse unë do kandidoj në zgjedhjet e 18 qershorit. Nuk do kishte kënaqësi më të madhe për mua sesa të kisha mundësi të kandidoja dhe përfaqësoja përsëri Ju në politikë. Por nuk mundem fizikisht. Kam mbi një vit që luftoj me një sëmundje agresive dhe të vështirë gjaku. Kurimi vazhdon dhe pak muaj dhe nuk më jep mundësi të shkëputem për fushatë. Kam bindjen që do ta kaloj dhe këtë siklet shpejt.

Nuk dua të mërziteni. Këto zgjedhje nga mënyra si po bëhen, pa opozitën, do dështojnë dhe do ripërsëriten shpejt. Lutjuni Zotit nëse besoni që unë ta kaloj shpejt këtë sëmundje dhe të jemi bashkë në momentin më të parë.

Unë nuk do votoj në këto zgjedhje. Nuk mendoj se dhe ju keni motiv të votoni. Shqipëria ka ecur mbrapa drejt varfërimit dhe mungesës së demokracisë. Megjithatë askush nuk mendon për ju, nëse nuk mendoni për vete. Nëse do votoni, bëjeni për interesin tuaj dhe askujt tjetër.

Ju përqafoj

Dritan Prifti