Presidenti Meta takon krerët e Vetëvendosjes

Në vazhdën e qëndrimit zyrtar në Kosovë, presidenti Ilir Meta sot ka takuar përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kjo është konfirmuar edhe nga kreu i këtij subjekti Visar Ymeri.

Në këtë takim, sipas tij, u diskutua për gjendjen politike nëpër të cilën po kalon Republika e Kosovës dhe kombi shqiptar në përgjithësi.

Sot, në zyret tona, pritëm Presidentin e Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta. Në takim diskutuam për situatën politike në të cilën po kalon Republika e Kosovës dhe kombi shqiptar në përgjithësi. Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë duhet ta intensifikojnë bashkëpunimin dhe njëjtësimin e politikave, si në rrafshin brendakombëtar, po ashtu edhe në politikën e jashtme; në funksion të faktorizimit, zhvillimit e sovranizimit tonë të përbashkët. Presidenti Meta uroi Lëvizjen VETËVENDOSJE! për rezultatin e saj në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit”, ka shkruar Ymeri në llogarinë e tij në Facebook.