Pse Katalonja nuk i ngjan Kosovës?

Bashkimi Evropian dhe Spanja po merren, ndonëse jo me ndonjë alarm të shtuar, me të ashtuquajturën krizë katalonjase dhe madje po shtohen zërat për ndërmjetësim  ndërkombëtar për zgjidhjen e saj. Brenda diskutimeve jashtëspanjolle për të duhen veçuar dy orientime: orientimi komik serb, sipas të cilit tani që Katalonja shpalli pavarësinë duke u thirrur tek rasti i Kosovës, 22 vendet që e kanë njohur Kosovën, duhet të rishikojnë njohjen. Së dyti, është orientimi i një pjese të zërave që vijnë nga vetë Katalonja për të tërhequr vija paralele mes dy rasteve.Të dyja këto orientime lidhen me njëri-tjetrin, ndaj në këtë shkrim po trajtohen bashkë.

Sjellja e gabuar spanjolle

Është krejt e qartë se Spanja ka gabuar me mosnjohjen e Kosovës, bashkë me vendet e tjera të Bashkimit Evropian në valën e parë në vitin 2008. Madje ka gabuar dhe më shumë kur brenda institucioneve evropiane dhe atyre të sigurisë globale,  veçanërisht vitin e fundit, e ka rritur rezistencën ndaj pranimit të Kosovës në një mënyrë ose në një tjetër si shtet në planin protokollar, apo kontraktual.

Pse Spanja e ka bërë këtë dhe çfarë ka fituar? Solidaritetin e Serbisë? Ky solidaritet nuk i ka sjellë dobi dhe vlerë për asgjë. As dhe intransigjenca e vet kundër Kosovës, se mos me pranimin e saj i krijonte pretekste nacionalizmit katalanas për t’u legjitimuar. Referendumi ndodhi dhe sjellja spanjolle kundrejt Kosovës nuk e pengoi dot. Madje personalitete indipendentiste katalonjase vijojnë dhe tallen me shtetin spanjoll kur thonë se do kërkojnë njohjen e Kosovës reciprokisht.

Pra është krejt e qartë se kjo mosnjohje nuk ka prodhuar kurrfarë rezultati pozitiv për ruajtjen e integritetit territorial të Spanjës, pandashmërinë e saj sipas Kushtetutës së 1978-ës, përkundrazi.  Kjo sjellje diplomatike spanjolle është rast tipik autolezionizmi: kur një shtet brendëson (internalizon) një çështje si ajo e Kosovës, që duhet ta jashtëzonte (eksternalizonte), pra ta mbante jashtë debatit të saj të brendshëm.

As Serbia nuk përfiton asgjë

Serbia ndërkohë nuk përfiton asgjë nga një inisiativë gjithashtu komike si ajo e kërkesave për 22 vendet e BE-së që e kanë njohur Kosovën: jemi në rastin tipik kur shtetet e Ballkanit përdorin një lëvizje gjoja diplomatike për konsum të brendshëm. Sepse dihet qartësisht që rrota e historisë nuk kthehet dot më mbrapsht: pavarësia e Kosovës është vulosur përfundimisht me aksion të armatosur të NATO-s, me rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me 114 njohje dypalëshe, me anëtarësim të Kosovës në 60 organizata globale dhe rajonale, etj., etj.

Krahasimi i mollës me dardhën

Të krahasosh Kosovën me Katalonjën është me të vërtetë sikur të krahasosh mollën me dardhën. Pa rënë në paradigmën e atij budallait që hedh një gur dhe shkojnë 100 të mençur dhe nuk e nxjerrin dot, ia vlen të bësh megjithatë disa krahasime, ndonëse krahasimi themelor është një shaka e kohërave moderne, e cila nuk duhet të merret seriozisht në pikëpamje të së drejtës ndërkombëtare, por në pikëpamje publicistike, pse jo.

Për ta lehtësuar këtë ndërmarrje publicistike për ata që duan ta bëjnë megjithatë, po heqim disa paralele.

Shikoni agjencitë botërore të lajmeve, se ç’ bënte Kosova në 1999, çfarë ndodhte në Katalonjë në 1999? Në Kosovë vriteshin mbi 10 mijë vetë, digjeshin dhe shkatërroheshin dhjetëra mijëra shtëpi, institucione kulti, dhunoheshin gra, fëmijë, pleq, ndaj NATO bombardonte Serbinë, kurse Katalonja organizonte Çmimin e madh botëror të motoçiklizmit!?

Lufta e Kosovës për vetëvendosje dhe pavarësim i ngjan luftës për pavarësi të vendeve afrikane, ndonëse shpallja e pavarësisë së Kosovës sipas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në 2011, është rast sui generis. Pra Kosova mund t’i ngjajë rastit të kolonive afrikane, kurse Katalonja s’ka lidhje me kolonitë afrikane, sepse përndryshe duhet ta kërkonte pavarësinë më herët. Mobilizimi i indipendentistëve të Katalonjës mund t’i ngjajë atij të Legës Nord të Italisë, që nuk kanë rrëshkitur megjithatë deri në kërkesën për shkëputje nga Roma hajdute, por kurrsesi Kosovës. Shikoni shkallën e autonomisë që ka Katalonja si shtet autonom dhe atë që ka patur Kosova në 1998! Nuk ka kurrfarë krahasimi. Kosova ka qenë dhe mbetet zona më e varfër e Jugosllavisë, e Serbisë dhe sot e Evropës, ndërsa Katalonja me të ardhurat për frymë 26 mijë euro, më shumë sesa mesatarja e Spanjës është njëri nga 4 rajonet më të zhvilluara ekonomikisht të Evropës (si Lombardia, Baden Vurtenbergu, etj.). Popullsia më e varfër (rasti i Kosovës) u shkëput nga pjesa më e pasur e shtetit federal që u disgregua, ndërsa me Katalonjën kemi popullsinë më të pasur që don të shkëputet prej pjesës më të varfër.

Dikush mund t’i referohet parimit të vetëvendosjes së popujve. Parimi i vetëvendosjes ponderohet, ndërlidhet me një sërë kushtesh, të cilat Kosova i ka përmbushur.

Spanja e sotme nuk është një shtet federal, i cili po copëtohet nga lëvizje pavarësuese të rajoneve të veta, përkundrazi. Kosova ishte entiteti i fundit federal i një republike federative si ish-Jugosllavia, e cila u shkëput si pasojë e diskriminimit etnik dhjetëravjeçar, aparteidit, pastrimit etnik të kryer mbi popullsinë e saj. Kosova ka vuajtur diskriminim etnik, veçanërisht prej 1981, kurse Katalonja ka njohur vetëm zhvillim të vrullshëm të identitetit të saj dhe të ekonomisë së saj. Diskriminimi etnik, pastrimi etnik ndaj Kosovës është dënuar ndërkombëtarisht me rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së;  ndërsa kundrejt Katalonjës nuk ka kurrfarë rezolute, sepse s’do kishte kurrfarë kuptimi.

Vullneti popullor i kosovarëve është shprehur shumë herë pro pavarësisë. Kosova ka zhvilluar referendume me pjesëmarrje të mbi 90% të popullsisë, dhe u detyrua të shkonte tek lufta e armatosur e popullit të vet kundrejt regjimit serb, pasi në 1999, Serbia nxori nga territori afro 1 milion vetë në përpjekje për të ndryshuar strukturën etnike të popullsisë. E sigurisht ky nuk është rasti i Katalonjës.

Spanja është shtet demokratik dhe i ka aftësitë për të tretur krizat e brendshme edhe si kjo me Katalonjën. Por rasti i Kosovës, kundërshtimi i pavarësisë së saj, nuk e ndihmojnë për asgjë në lidhje me këtë krizë.