Rama-opozitës: Na përfshitë në një krismë me daulle, në çadrën e vjetër të baltës

Kryeministri Rama u është kundërpërgjigjur me tone të larta qëndrimeve të djeshme të opozitës, që solli edhe shtyrjen e seancës për ditën e sotme. Ai theksoi se opozita sërish e përfshiu qeverinë në një krismë me daulle, ndërsa nuk kurseu as ironitë.

“Jemi ftuar sot në një diskutim, që vetëm diskutim nuk ka shans të jetë. Javën e shkuar u mor peng kjo foltore për medemek ndalimin e kryetarit për këtë diskutim.

Ndërkohë sipas rregullores së Kuvendit, nuk ishte kërkuar një diskutim i tillë. Sot diskutimi është në rend të ditës, pasi u kërkua sipas rregullores. Në fakt që dje formalisht ju jeni në rregull me normat e shkruara, me këtë sallë, duke bllokuar foltoren dhe duke u çjerre për mungesën e lirisë dhe ne jemi këtu të kyçur në kornizën e kërkesës suaj.

Faktikisht ju nuk e bëni dot një diskutim në kuptim që ka kjo fjalë për qytetërimin demokratik. Jeni bërë shëmbëlltyra e asaj shprehjes së famshme; kush nuk di ta përdor lirinë e fjalës, ankohet për mungesën e saj. Sa më të pafatë janë politikanët në kushtet e lirisë për ta përdorur lirinë e faljes, aq më shumë çirren se u mungon liria. Na përfshitë në një krismë me daulle, në çadrën e vjetër të baltës. Jeni bosh lartë, e bosh poshtë”, tha Rama.