Shehi merr titullin “Honoris Causa”, nderohet edhe Takaj

Kapiteni i Skënderbeut, Orges Shehi, është dekoruar sot nga Universiteti “Fan Stilian Noli” në Korçë me titullin “Doctor Honoris Causa”, me motivacionin: “Futbollist i madh i Skënderbeut dhe i mbarë futbollit shqiptar, që po nderon qytetin e Korçës dhe Shqipërinë në arenën ndërkombetare. Ish-student dhe mik i Universitetit “Fan S. Noli”, që me portretin e tij njerëzor dhe profesional është bërë shembull i gjallë për edukimin e brezave të rinj të sportit shqiptar”.

Universiteti i qytetit juglindor, gjithashtu, ka nderuar presidentin Ardjan Takaj me çertifikatë mirënjohjeje për kontributin e tij në sukseset e klubit korçar të futbollit në Shqipëri, por edhe në arenën europiane.

Me këtë rast, faqja zyrtare e Skënderbeut në Facebook ka këtë falenderim: “Gjejmë rastin të falënderojmë senatin, rektoratin dhe studentët e universitetit për këto vlerësime, të cilat na shtyjnë edhe me shumë për të ecur para dhe për të arritur suksese më të mëdha në të ardhmen”.

Universiteti i Korçës ka nderuar presidentin e ekipit, Ardjan Takajn, me një çertifikatë mirënjohjeje dhe me titullin “Pjata e argjendtë”. Arritjet e Skënderbeut kanë qenë të mëdha vit pas viti dhe të gjithë ata që po kontribuojnë, po vlerësohen edhe nga qyteti. Në ceremoni ishin të pranishëm të gjithë lojtarët e Skënderbeut, drejtuesit e tij dhe kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo.