Takimet/ Ja çfarë diskutoi Presidenti Meta me krerët e partive në Kosovë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta gjatë ditës së dytë të vizitës shtetërore në Kosovë ka zhvilluar takime me Krerët e partive parlamentare në Kosovë.

Presidenti Meta është takuar me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri; me Kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa si dhe me Përfaqësuesin e Listës Serbe, Slavko Simiç.

Gjatë takimeve në fjalë Presidenti Meta ka theksuar rëndësinë që mbart bashkëpunimi dhe dialogu konstruktiv i të gjitha forcave politike për ardhmërinë dhe perspektivën integruese evropiane të Kosovës.

Në takimin me Vetëvendosjen, Presidenti Meta i përgëzoi për rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit dhe theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që ka roli i opozitës në demokraci për të rritur përgjegjësinë dhe cilësinë e qeverisjes.

Në takimin me liderin e LDK-së, ish-kryeministrin Isa Mustafa dhe përfaqësues të tjerë të LDK-së, Presidenti Meta shprehu vlerësimin për kontributin e madh dhe të pazëvendësueshëm të LDK-së për gjithë këto dekada për pavarësinë e Kosovës, konsolidimin e demokracisë, dhe shprehu besimin se edhe pse një opozitë mjaft aktive, LDK me përvojën e saj do të kontribuojë për të bashkëpunuar me mazhorancën aktuale rreth çështjeve më madhore që lehtësojnë progresin në rrugën euroatlantike të Kosovës.

Në takimin me Liderin e Listës Serbe zotin Simic, Presidenti Meta shprehu konsideratën e lartë për rolin konstruktiv të Listës Serbe në konsolidimin e institucioneve të Kosovës si dhe të frymës së bashkëjetesës mes komuniteteve në Kosovë.