Uraganet drejt Evropës/ “Ofelia” rreziku i ri në horizont

Nga stuhi tropikale, “Ofelia” është shndërruar në uragan të kategorisë së parë dhe po i drejtohet Evropës.

Qendra Kombëtare e Uraganëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vlerëson se stuhia e radhës e këtij sezoni në Atlantik ndodhet rreth 1 200 km në jugperëndim të Azoreve dhe po lëviz drejt Kontinentit të Vjetër me erërat e saj që mbërrijnë shpejtësinë 135 km/h.

Mediat në Britani shkruajnë se “Ofelia” do ta godasë shtetin-ishull në 30-vjetorin e stuhisë së madhe të vitit 1987, nëse modelet kompjuterike rezultojnë të sakta. Në “dyert” e Britanisë ajo pritet të “trokasë” mbrëmjen e 15 tetorit e pas kësaj trajektorja e lëvizjes parashikohet të jetë në verilindje të Europës.

“Ofelia” është uragani i dhjetë i këtij viti e pason stuhi të një force shkatërrimtare si “Harvey”, “Irma”, “Maria” dhe “Nate”, të cilët i zhytën në kaos Ishujt Karaibe e disa shtete amerikane.