Zëdhënësi i Erdoganit përkrah afrimin e Serbisë me Rusinë dhe Turqinë

Zëdhënësi i presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, Ibrahim Kalin, është shprehur i mrekulluar për ‘atmosferën e jashtëzakonshme’ në Serbi gjatë vizitës së delegacionit turk.

Kalin, i cili nga gazeta serbe ‘Blic’ përshkruhet si i vetmi politikan i autorizuar të flasë në emër të Erdoganit, është shprehur se presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka qenë i përgatitur mirë për vizitën dhe ka shfaqur ngrohtësi dhe mikëpritje.

Duke komentuar vizitën e dy presidentëve në qytetin e Novi Pazarit, ai ka thënë se ‘Serbia po hapet drejt qytetarëve të saj, por edhe drejt botës dhe Evropës’.

“Në këtë drejtim, marrëdhëniet serbo-turke po fitojnë një momentum të ri”, ka shtuar Kalin, përcjell Konica.al.

Zëdhënësi i Erdoganit ka bërë me dije se gjatë qëndrimit në Beograd, delegacioni turk ka bërë thirrje që Serbia të vazhdojë bisedimet me Kosovën, duke i shprehur përkrahje Vuçiçit për këtë proces.

“Këto probleme kërkojë kohë, lidership, durim dhe zgjuarësi…dhe këtë e shoh tek të dyja palët, Serbia dhe Kosova”, ka thënë Kalin për të pëditshmen serbe.

Sipas tij, Turqia është e gatshme për të lehtësuar këtë proces, duke shpresuar se prej tij do të përfitojnë të dyja komunitetet, por edhe i tërë rajoni.

I pyetur nëse Serbia mund të gërshetojë neutralitetin ushtarak me marrëdhënie të mira si me NATO-n, ashtu edhe me Rusinë, politikani turk ka nënvizuar se ‘në botën e sotme është e nevojshme të zgjerohet politika e jashtme, dhe të mos përqëndrohesh vetëm tek një partner i vetëm’.

“Vetëm pse ne jemi pjesë e NATO-s, apo për shkak se ne duam të hyjmë në BE, kjo nuk do të thotë se ne duhet të kemi marrëdhënie të këqija me rusët, kjo është mendësi e Luftës së Ftohtë”, ka thënë Kalin, duke shtuar se blerja e sistemit mbrojtës raketor S-400 ka qenë vendim sovran i Turqisë, përcjell Konica.al.

Ai ka shtuar se Serbia është duke lëvizuar në rrugën e duhur përmes marrëdhënieve të mira me Evropën, bllokun Perëndimor në njërën anë, dhe Rusinë dhe të tjerët në anën tjetër.