Zhbogar: Zgjedhjet e 15 tetorit, mundësi e mirë për zhvillimin e komunave

Përfaqësuesi i delegacionit të BE-së në Maqedoni Samuel Zhbogar ka vlerësuar se zgjedhjet lokale të 15 tetorit do të jenë një mundësi për të përcaktuar të ardhmen e zhvillimit të komunave.

“Zgjedhjet lokale të 15 tetorit janë një mundësi për ju, qytetarët që të shpalosni pikëpamjet tuaja për drejtimin që duhet të marrin komunat në të ardhmen”, ka thënë ai, përcjell Konica.al.

Me këtë rast, zyrtari evropian ka kërkuar angazhim të shtuar të shtetit për sigurimin e kushteve për zgjedhje lokale.

“Ne u bëjmë thirrje krerëve politikë dhe anëtarëve të partive që të mbajnë një proces zgjedhor pa frikësime dhe dhunë. Ne përkujtojmë rëndësinë e të bërit një dallim të qartë midis shtetit dhe veprimeve partiake, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve. Ne llogarisim në institucionet shtetërore, policinë, Komisionin Shtetëror Zgjedhor, shoqërinë civile, që të kryejnë detyrën e tyre për zgjedhje demokratike, të lira dhe të drejta”, ka nënvizuar Zhbogar.

Përfaqësuesi evropian në Shkup u ka bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën demokratike të votës dhe kështu të formësojnë të ardhmen e komunave të tyre.