AAK fiton komunën e tetë në Kosovë

Numërimi i votave me kusht i ka sjellë partisë së kryeministrit Ramush Haradinaj, AAK, fitoren e tetë në zgjedhje lokale.

Kjo parti do të drejtojë edhe komunën e Burimit, krahas Gjakovës, Junikut, Deçanit, Therandës, Klinës, Rahovecit dhe Kastriotit.

Nënkryetari i kësaj partie, Ahmet Isufi, ka thënë se me fitoren në Burim është rrumbullaksuar objektivi i AAK-së për zgjedhjet komunale 2017.

“Gani Dreshaj i AAK-së rikthen rezultatin duke shkuar në 8 numri i komunave që do t’i udhëheq Aleanca. U rrumbullaksua objektivi i Aleancës për zgjedhjet komunale 2017, sukses i jashtëzakonshëm, sukses i merituar”, ka shkruar Isufi në profilin e tij në Facebook.