Absurdi i gjobës 3 milionë lekë, kryeinspektori: Drejtohuni te Administrativja

Në fillim të muajit nëntor, emisioni “STOP” transmetoi rastin arbitrar të gjobës për duhanpirje në një lokal, ku pamjet filmike tregonin se ishte bosh.

Luan Butuku, menaxher i lokalit tregon se edhe pas ankimimit, gjoba 3 milionëshe është lënë në fuqi dhe rruga e vetme që i ka mbetur është Gjykata Administrative.

Edvin Bica, përgjegjës juridik pranë Inspektoriatit Qendror shpjegon një sërë shkeljesh që janë bërë nga ana e inspektorëve të Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, që nga gjoba me bllok, kur duhet të jetë vetëm online, e deri te mungesa e dokumentacionit.

Gazetarja e emisionit “STOP” ia numëron këto shkelje kreut të ISHSH dhe përgjigjia e vetme e Eltar Dedës ishte: “Me këto vërejtje drejtohuni në Gjykatën Administrative”.

Më datë 3 Nëntor, emisioni “STOP” transmetoi rastin e Luan Butukut, i cili denoncoi një gjobë të padrejtë prej 3 milionë lekësh që ka marrë për duhanpirje në lokalin e tij në rrugën e Kavajës. Ai tha se inspektorët e Shëndetit Publik i kanë kërkuar Nipt-in dhe i kanë vënë gjobë, edhe pse në atë moment në lokal nuk kishte asnjë klient.

“I jemi drejtuar emisionit “STOP” për një padrejtësi që na është bërë, një gjobë për duhanpirje. Ndërkohë që brenda në ambientet nuk ka pasur asnjë shkelje të ligjit. Tavolinat kanë qenë pa tavlla, njoftimi i duhanpirjes është në xham është ngjitur. Nuk shoh ndonjë shkelje ligji.

Ai tregoi se inspektori hyri në lokalin e tij, i kërkoi Nipt-in dhe plotësoi procesverbalin e gjobës, për të cilën denoncuesi është vënë në dijeni pas 4 ditësh, kur i ka ardhur gjoba me vlerë 3 milionë lekë të vjetra.

Luan Butuku vendosi në dispozicion të emisionit “STOP” kamerat e lokalit për të vërtetuar pretendimin e tij. Pamjet shfaqin lokalin bosh dhe tavolinat që nuk kanë qenë të pajisura me tavull në momentin që ka hyrë inspektori i Institutit të Shëndetit Publik.

Emisioni ”STOP” iu drejtua për këtë padrejtësi Institutit të Shëndetit Publik, por zëvendëskryeinspektorja tha se gjoba është e drejtë, me arsyetimin e vetëm se nuk ka motiv që inspektorët të vënë gjobë pa shkak.

Zv\Kryeinspektorja e ISHSH – Nuk gjej asnjë arsye që një inspektor i një qarku tjetër të vijë e të bëjë një veprim të tillë. Atëherë, mua më lë të dyshoj. Ose ai ka manipuluar në kamera, që ke specialistë sa të duash për të manipuluar dhe nuk është fakt për mua, se edhe gjykata nuk e merr për fakt kur nuk është e autorizuar për të bërë një filmim të tillë.

Gazetarja – Atëherë, kemi një lokal bosh. Unë kam pamjet, shkon tjetri thotë: “Bjer numrin e Nipt-it, ulet në tavolinë, plotëson procesverbalin, 3 milionë lekë gjobë!”

Zv\Kryeinspektorja e ISHSH – Po, unë nuk e pranoj që është kështu.

 

Gazetarja – Po, mirë pra, unë e pashë.

Zv\Kryeinspektorja e ISHSH – Po, mirë pra, ti e pe dhe unë s’e pranoj që është kështu po them. Se s’ka shanse që të më çojë në këtë logjikë.

Gazetarja e emisionit “STOP” ritakon Luan Butukun për ta pyetur për përgjigjen e Komisionit të Ankimimit.

“Bëmë ankimimin me filmimet e lokalit. Na ka ardhur përgjigjia me postë. Është shqyrtuar dhe vendimi është po i njëjti. Duhet t’i drejtohemi Gjykatës Administrative. Pas kemi bërë ankimimin dhe është transmetuar në emisionin “STOP”, inspektorët kanë ardhur plot herë, pothuajse përditë. Paguajmë taksat, i paguajmë  të gjitha, por në fund të vjen një gjobë që s’ke nga t’ia mbash!”

 

Përgjegjësi Juridik i ISHSH-së, Edvin Bica shprehet se nga shqyrtimi i dosjes dhe provave materiale kanë rezultuar një sërë shkeljesh, duke nisur nga mosrealizimi i inspektimit me dokumente standarde, listë verifikimi, të cilat duhet të ishin të miratuar nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor.

“Përsëri shfaqen rastet e inspektimeve me blloqe dhe jo nëpërmjet sistemit online.  Nuk kemi autorizim, i cili është hapi i parë i kryerjes së inspektimit. Nuk kemi kontestime që i janë bërë qytetarit, por kemi vetëm një rëndesë të barrës ndaj biznesit.

Kemi propozuar marrjen e masave, pasi kemi konstatuar një sërë shkeljesh proceduriale, si një proces të rregullt administrativ ligjor.”

I pyetur nga gazetarja se përse Komisioni i Akimimit la në fuqi masën administrative ndaj këtij subjekti, Bica u shpreh se kur kanë tërhequr provat nga inspektoriati, ky vendim nuk ishte. Ai shtoi: “Tani po e shikoj të them të drejtën… kemi një institucion me dy standarde! Po habitem që kjo gjobë është lënë në fuqi nga ky inspektoriat…”

Gazetarja e emisionit “STOP” iu drejtua Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, ku komunikoi me kryeinspektorin e këtij institucioni, Eltar Dedën, në lidhje me gjobën e padrejtë që i është vendosur subjektit të Luan Butukut, si dhe i dorëzoi të gjitha pamjet e kameras së lokalit, pasi ky i fundit pretendonte se nuk ishin të plota.

“Në Komisionin tonë të Ankimimit janë parë të gjitha hapat e ndjekura nga ana e inspektorëve. Dua t’ju theksoj që shkelës të ligjit nuk janë vetëm klientët, por janë edhe pronarët e subjekteve ose dhe ata që shërbejnë.”