Akademiku Jorgo Bulo “Qytetar Nderi” i Përmetit

Bashkia Përmet ka vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” pas vdekjes akademikun e njohur Jorgo Bulo. Në fjalën e mbajtur me këtë rast nga sekretari teknik i Akademisë së Shkencave,  Vasil Tole, është vlerësuar kontributi dhe përkushtimi i tij.

Jeta, vepra dhe personaliteti i Akademik Jorgo Bulos na nderojnë të gjithëve ne: familjen Bulo, Akademinë e Shkencave, Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, Zagorien, Gjirokastrën, Vlorën, Korҫën, Shkodrën, Prishtinën e mbarë Kosovën, e shqiptarët kudo janë. Ky nderim që i bëhet nga qyteti i Përmetit, nga qyteti që siҫ thoshte vetë Jorgo: “Ishte i pari qytet që pashë dhe vizitova kur isha fëmijë” dhe që u bë edhe stacioni i fundit i jetës së Tij, është padyshim më i veçanti ndër të gjitha titujt dhe vlerësimet e shumta që Ai ka marrë!

Po cili ishte Jorgo Bulo?

Ai është pa dyshim emri më i rëndësishëm dhe përfaqësuesi më i denjë i brezit të dytë të studimeve shqiptare, i atij brezi që u formua nën hijen dhe dijen e E. Çabejt, A. Budës, Dh. S. Shuteriqit, M. Domit, A. Kostallarit.
Historian i letërsisë, studiues me interesa të gjera, Jorgo Bulo është prova e gjallë se njeriu i zot ia del të jetë mbi të tjerët edhe kur koha shkon për mbarë, edhe kur koha u vë pengesa të pamerituara. Të gjithë ata që përligjin vetveten se nuk arritën të ishin të parët në një kohë të mëhershme, po aq sa dhe ata që ankohen për kohën e sotme, vepra e Jorgo Bulos u thotë: Kjo është një alibi! Mos e bëni me faj kohën, pyetni veten çfarë ju mungon.

Jorgo Bulo nuk ishte orientalist, por u bë orientalist për shkak të Naim Frashërit.

Jorgo Bulo nuk ishte gjuhëtar, por u bë gjuhëtar për shkak të përgjegjësisë ndaj shqipes së shkruar dhe njësisë së saj.

Jorgo Bulo nuk ishte as filolog, as tekstolog, por u bë filolog e tekstolog për shkak të Mitkos, Çajupit, Shirokës, Asdrenit, Darës dhe poetëve të tjerë të romantizmit dhe post-romantizmit. Nuk arriti të përgatiste një botim të veprës së plotë të Luigj Gurakuqit, të cilin e veçonte prej të tjerësh dhe e çmonte jo vetëm si tribun, por edhe si njeri të letrave, dhe dikush duhet ta çojë deri në fund këtë vullnet të tij.

Jorgo Bulo tregoi se metoda nuk mund të jetë kurrë një kufizim për studiuesin.
Pati shumë historianë të letërsisë, edhe të shkencave të tjera albanologjike, që nuk kapërcyen dot përmbi kufizimet ideologjike të së shkuarës, nuk mundën të shndërrohen nga studiues të letërsisë në kontekst në studiues të letërsisë brenda tekstit. Jorgo Bulo na dha një përgjigje të qartë dhe të padiskutueshme: njeriu me formim të shëndetshëm shkencor mund të përdorë për qëllime të mbara edhe komparativizmin, edhe strukturalizmin, edhe semiotikën e semiologjinë etj.

Ai ka qenë një intelektual aktiv në diskutimet për çështje të rëndësishme shkencore, kulturore e shoqërore të shoqërisë shqiptare në konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare dhe në të gjithë veprimtarinë e tij studimore e shoqërore është dalluar për gjykime të mençura dhe komunikime të ekuilibruara.

Sot, pas këtij vlerësimi Jorgon e kemi më pranë nesh. Ai do të jetë së bashku me të vetët, me qytetarët e tjerë të nderit të Përmetit: Naimin e Samiun, Nonda Bulkën e Odhise Paskalin, me Laver Bariun dhe Rexhep Qosen e sa e sa të tjerë personalitete të rëndësishme të vendit tonë.
Një falënderim për Bashkinë e Përmetit që e nderonte dhe e nderon personalitetin e madh të vendit tonë, akademik Jorgo Bulon” ka përfunduar Tole.