Buxheti 2018/ Biznesi i bashkohet nismës së qeverisë

Komuniteti i biznesit i është bashkuar zërit të qeverisë për nevojën e formalizimit të ekonomisë.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka teksa po diskutohej paketa fiskale që do të zbatohet në vitin 2018, tha se qeveria duhet fillimisht të formalizojë tregun, pasi ka konkurrencë të pandershme e më tej të diskutohet niveli i taksave.

Në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave duke folur konkretisht për taksën e banesave që qeveria propozon që ajo të jetë sa 0.05% e vlerës së saj, nga një taksë fikse që është aktualisht, Jaka tha se para se qeveria të propozojë rritjen e kësaj takse, duhet të vendosë standardet europiane, në kushtet kur ne po synojmë integrimin e vendit.

Po ashtu, Jaka propozoi taksë zero për banesën e parë. Kështu, vuri në dukje ai, do stimulohen individët për të blerë një shtëpi. Ai shtoi se për shtëpitë e dyta dhe të treta, qytetarët të paguajnë më shumë.

“Jepen leje ndërtimi përtej nevojave të tregut. Në këto kushte përballemi me ndërtime jovizibël apo me pallate të papërfunduara për shkak të mos kërkesës. Ne sot kemi të paformalizuar tregun e ndërtimit të banesave. Mbi 60% e apartamenteve janë të pashitura. Duhet forcuar supervizimi. Ndërsa bashkia duhet të detyrojë ndërtuesit të kryejnë punimet e papërfunduara në pallatet që kanë shitur apartamentet”, deklaroi Jaka, shkruan “ata”.

Ndërsa ulja e pragut të përfshirjes në skemën e TVSH-së për bizneset me xhiro deri në 2 milionë lekë, sipas kreut të DHTI-së, Nikolin Jaka, do të sjellë evazion fiskal.

Dhoma Amerikane ka ripërsëritur komentet e saj për paketën fiskale. Drejtoresha e Politikave Fiskale në AmCham, Alketa Uruçi kërkoi uljen e tatimit mbi të ardhurat personale dhe mbi dividentin.

“Anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë vunë re se shumë gjëra do të specifikoheshin me VKM më vonë. Ne nuk e komentojmë praktikën. Ajo që anëtarët tanë sugjeruan është fakti se disa elementë duhen përcaktuar në ligj dhe nuk duhet lënë për t’u përcaktuar me VKM”, tha Uruçi.

Maxhoranca dhe opozita u bashkuan në qëndrimet e tyre për të diskutuar të gjitha propozimet e biznesit gjatë shqyrtimit nen për nen të ndryshimeve në paketën fiskale.