Çako vlerëson drejtorin e Policisë së Shkodrës për “shërbime të dalluara”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i akordon “Certifikatën për Shërbime të Dalluara” Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër Drejtues i Parë Gjovalin LOKA.

Me këtë rast në ambjentet e Drejtorisë Vendore të Polciisë Shkodër është zhvilluar një ceremoni, ku Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Çako, i ka dorëzuar “Certifikatën për Shërbime të Dalluara”, Drejtues i Parë Gjovalin Loka, me motivacionin “Për merita të veçanta, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve në shërbim të Policisë së Shtetit.”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vlerësuar ndershmërinë, kontributin, përkushtimin dhe profesionalizmin e Z. Loka, gjatë gjithë viteve të karrierës së tij.

Gjovalin Loka i cili aktualisht mban detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, është shprehur se: “ndihem i privilegjuar për vlerësimin dhe kjo certifikatë është një obligim më shumë për mua në përmbushjen e detyrës”.

Në ceremoni morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shtetit Drejtues Madhor Haki Çako, Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shtetit, Drejtori i Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe kolegë të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, të cilët vlerësuan punën dhe përkushimin e tij ndër vite.