Danimarka në “Russia 2018”, bën mrekullinë në Irlandë (Video)

Një fitore historike e Danimarkës në ndeshjen e kthimit të “play-off”-it në Irlandë, kur takimi i parë kishte përfunduar pa gola në Copenhagen tri ditë më parë. Edhe pse pësuan gol të parët, danezët përmbysën gjithçka që në pjesën e parë dhe në fund fituan 5-1 në transfertë, duke mos e vënë në diskutim pjesëmarrjen në Botëror. Festojnë danezët, në lot irlandezët, por miqtë nuk vodhën asnjë gjë.

Vendasit e nisin mirë ndeshjen, kur Duffy shënon në minutën e 6-të me kokë, duke përfituar edhe nga gabimi i portierit danez. Irlanda në festë para kohe, pasi Christensen barazon në 29’. Danezët përfitojnë nga shokimi i Irlandës dhe ende pa kaluar 3 minuta kalojnë në avantazh me Eriksen.

Kur u mbush një orë lojë, Eriksen shënoi dhe golin e tretë për miqtë, më pas, mëngjarashi i Tottenham kompletoi tripletën personale dhe “pokerin” për Danimarkën. Ky ishte goli i 11-të i Eriksen në këto eliminatore, rekord për përfaqësuesen nordike. Penalltia e Nicklas Bendter i vulosi shifrat në 1-5. Rikthehet kështu Danimarka në një event madhështor, pas mungesës në Europianin 2016, ku ishte Shqipëria që e la jashtë.