Debati i “Top Channel” me qeverinë, si krizë e tregut te shtypit!

Nga Mero Baze

Ka një vemendje të tepruar ndaj faktit që “Top Channel” ka disa shënime kritike ndaj qeverisë. Në një situatë normale, askush nuk do ta vinte re këtë përmbajtje të lajmeve, të një televizioni të madh, për më tepër që nuk kemi të bëjmë me lajme, por me shënime pa autor. Pas kësaj ka një nervozizëm dypalësh të pronarëve të televizionit dhe kreut të qeverisë, dhe si zakonisht një kuriozitet mbarëpopullor se përse ndodh kjo. Biles fakti që njerëzit janë kuriozë, tregon se perceptimi për shtypin është pazari i tij me politikën.

Por do të desha të jem në anën e televizionit, por kam rezervat e mija për mënyrën se si po përfshihen në këtë debat.

Biografia e “Top Channel” si kanal informativ, është ndoshta një nga pasuritë e historisë së medias shqiptare. Emisioni i lajmeve të tij ka qenë historikisht nga më të mirët në televizionet tona dhe gazetarët e lajmeve, po ashtu ndër reporterët më të mirë në tregun e shtypit shqiptar.

Është kjo arsyeja që ata nuk kanë bërë kompromise të turpshme me ngjarje të rënda në historinë e këtij vendi, nuk e kanë fshehur “Gërdecin” si aksident teknologjik, dhe nuk janë tallur me të vrarët e “21 Janarit”, sikundër ka bërë TV Klani me skenarin e Frangajt, që “i vrau ai burri me çadër që rrinte afër viktimës”.

E njëjta gjë me zgjedhjet e vjedhura nga Lulzim Basha në Tiranë dhe me historitë e tjera të korrupsionit në vend.

Këto janë merita të një gazetarie cilësore.

Por “Top Channel”, nuk duhet të jetojë me historinë, por me të përditshmen. Mënyra se si pronarët e televizionit justifikojnë sulmet ndaj qeverisë, në emër të historisë, duke e quajtur atë shërbim për Partinë Socialiste,  janë jo profesionale.

Shënimet e bëra pa autor, pa fytyrën e një gazetari dhe pa një argumentim profesional, nuk janë gazetari dhe as ndryshim qëndrimesh. Janë thjeshtë lajmërime publike për mosmarrëveshje. Në disa nga shënimet kritike për qeverinë i referohen gjithnjë të shkuarës së “Top Channel”-it si televizion kritik dhe ngrejnë pyetje se mos qeveria sot është fajtore apo e zhytur në krim, në rastin e drogës apo Tahirit.

Kjo nuk është dinjitoze për televizionin dhe as historinë e vërtetë të tij. Një televizioni të mirë cilësor nuk i lejohet që pas katër vitesh të ketë dilema për atë që ka ndodhur. Ai duhet të raportonte në kohë reale për këto fenomene kur kanë ndodhur dhe nuk kishte nevojë të bënte shënime sot për ta nxjerrë këtë përfundim nga analiza autorësh pa emër. Unë besoj se ata kanë raportuar të vërtetën, por mënyra si po e paraqesin, duket sikur kanë shmangur të vërtetat kritike, për hir të qeverisë. Kjo është diçka që e dëmton televizionin.

Qeveria meriton të sulmohet sa herë gabon, por një televizion i madh dhe serioz me kaq shumë peshë në informimin e shqiptarëve, nuk duhet t’i lejojë vetes gafën, të reflektojë për atë që s’ka bërë dhe ta paraqesë këtë si nder të pashpërblyer nga qeveria. Biles si një nder që qeveria nuk ia njeh. Kjo dëmton televizionin, jo qeverinë. Biles e tregon qeveri parimore, ndërkohë që nuk është e tillë me pronarët e shtypit. Të gjithë i dimë trofetë e pronarëve të medias nga qeveria. I kemi para syve, se për fat shumica i kanë investime në ndërtim.

Por “Top Channel” nuk ka rënë në këtë batak. Problemi që ka “Top Channel” është problemi që kanë mediat e mëdha për të mbijetuar në kohën e një shtypi të ri, dhe riformatimi për të vazhduar të jetojë me këmbët e veta.

E vërteta është se shumë reporterë të mirë të “Top Channel”-it nuk janë më në redaksinë e lajmeve. Biles e fundit nga më të mirat që mbulon Partinë Demokratike, ka njoftuar se do shkojë si zëdhënëse e partisë.

Beteja e “Top Channel”-it nuk është me Edi Ramën dhe qeverinë, por me vetveten dhe tregun e shtypit. Ata duhet të raportojnë për atë që ndodh në Shqipëri, pavarësisht nëse ajo është e mirë apo e keqe dhe po ta bëjnë këtë nuk ka nevojë për shënime kritike. Shënimet kundër qeverisë, prodhojnë debat por jo histori gazetarie për televizionin. Pas shënimeve, palët mund të merren vesh dhe situata të qetësohet, por pronarët e një media kaq të madhe, duhet të shikojnë se si mund të jenë konkurrentë në tregun e lajmeve, si të ruajnë cilësinë e tyre dhe si të jenë të pavarur në financimin e televizonit nga tregu dhe jo nga lidhjet me politikën. Këtë Dritan Hoxha e ka pas arritur qysh në vitet 2000. Po e mbajtën këtë, nuk kanë nevojë t’i japin llogari askujt. Aq më pak Edi Ramës, apo Lulzim Bashës. Mund të mos u hapin fare telefonin atyre për ankesat që ata kanë ndaj TV . Nëse jo, atëhere janë para një problemi serioz, që natyrisht do ta zgjidhin me negociata me politikën, por mund të humbasin qytetarët.

Në këtë histori, ka vetëm një shans të jesh fitmitar, të jetosh nga tregu që prodhojnë lajmet dhe produktet e tua. Rruga tjetër është të bësh pazar për lekët me politikën, si Tv Klani, të marrësh leje ndërtimi, PPP, status për persona të favorizuar turistik, dhe pastaj me ato të ndërtosh audiencë me telenovela turke dhe emisione luksoze. Kam frikë se me këtë versionin e dytë “Top Chanel” nuk konkurron dot me “Klanin”, pasi “Klani” është markë pushteti.