Detaje reale nga jeta e shkrimtarit Kasem Trebeshina, të sjella në romanin e Mehmet Myftiut

Në romanin “Shkrimtari” të Mehmet Myftiut, jepet një profil i pastër i autorit Kasem Trebeshina, të cilit i është vënë petku i një personazhi me emer Hysen dhe ku Mehmeti tregon detaje reale nga jeta e Kasemit gjatë peruidhës 1953-1963.

Ja disa fragmente nga romani, ku përshkruhet qartazi figura e shkrimtarit Kasem Trebeshina.

(Hyseni : Kasem Trebeshina Besniku : Mehmet Myftiu)

1.

Besniku doli i pakënaqur nga klubi i shkrimtarëve dhe u nis drejt për në shtëpinë e Hysenit, që t’i kthente tregimin dhe t’i jepte përshtypjet për të.

Hysen Shkreta kishte braktisur Universitetin e Leningradit, ku studionte për aktor dhe ishte kthyer në Shqipëri para një viti, duke deklaruar se s’kishte ç’të mësonte nga ajo shkollë. Kjo kishte shqetësuar qeveritë e dy vendeve, mandej vetë ministri i jashtëm i Bashkimit Sovjetik ishte interesuar për studentin shqiptar. Nuk dinin si ta shpjegonin këtë qëndrim. E kishin vizituar edhe te mjeku psikiatër, se mos ishte i sëmurë, por sistemi i tij nervor kishte rezultuar plotësisht i shëndoshë.

Hyseni e kishte marrë vendimin për braktisjen e shkollës sovjetike fare spontanisht, ditën që kishte përfunduar leximin e veprave të plota të Bajronit. E kishte ndierë në shpirt poetin e madh anglez dhe menjëherë gjithë letërsia sovjetike e kohës i ishte zvordhur, bashkë me shkollën ku studiohej dhe vlerësohej ajo, si rrymë e realizmit socialist. Kish vendosur t’i kthehej ëndrrës së rinisë së parë për t’u bërë shkrimtar. Shpalli se do të bëhej Bajroni i kohës. «Pikëllimi botëror» i anglezit të madh që binte ndesh flagrant me sistemin që pillte letërsinë e kohës, zuri vend në shpirtin e tij në përmasa të thella.

Si në Rusi edhe në Shqipëri, kërkesa e Hysenit që të braktiste shkollën sovjetike ishte dukur një lajthitje e plotë dhe i kishte vënë në mendime qeveritarët. Zyrtarët e lartë të dy vendeve kërkonin të zbulonin të fshehtën e shpirtit të tij. Ai u përgjigjej thjeshtë, por me krenari : «Kërkoj të kthehem në Shqipëri, se kam vendosur të bëhem shkrimtar. Kultura e përvoja që kam më mjaftojnë për t’ia arritur këtij qëllimi. Nuk dua të humb kohë dhe, me t’u gjendur në vendin tim, do të kridhem në një punë kolosale. Atë që bëri Viktor Hugoi për Francën, do ta bëj unë për Shqipërinë.» Qortimit përse kishte zgjedhur si idhull Bajronin dhe jo Gorkin e realizmit socialist, ai i përgjigjej thjeshtë: « Kjo është çështje gustoje. Qysh në lashtësi është theksuar se gustot nuk diskutohen. Në këtë mes nuk ka asgjë të keqe.» Shteti shqiptar po tregonte tolerancë të madhe ndaj tij, për shkak të së kaluarës së tij të lavdishme në luftë, si dhe sepse Hyseni kishte lidhje gjaku dhe shoqëri lufte me udhëheqës të lartë të Partisë dhe të shtetit.

Besniku trokiti me ndrojtje në derën e sallonit të shtëpisë së Hysenit, pa qenë i sigurt se si do të pritej. Dërrasat e dyshemesë kërcitën, dera u hap dhe në prag u duk e shoqja. Ajo e pyeti me një

fije zëri se kush ishte dhe çfarë kërkonte. Besniku i tha se dëshironte të takonte Hysenin. Në këtë çast doli i zoti i shtëpisë dhe e ftoi të futej brenda. Ai kishte pamjen e zakonshme. Veç sytë e zinj ndrisnin ftohtë, të egërsuar, dhe buzët e holla dukeshin më të shtrënguara se zakonisht. Fytyra e thatë, e zeshkët, ishte tendosur nga zemërimi.

Djaloshi përshkoi sallonin e vogël dhe hyri në dhomë. Hyseni iu lut të ulej në kolltukun më të mirë. I zgjati paketën e duhanit. Kur i porsaardhuri refuzoi, i zoti i shtëpisë tha se të dy qenkëshin rehat : duhani ishte një ves i keq dhe Gëtja e kishte quajtur turp për njerëzimin. Megjithëse dukej sikur po e priste me gëzim mysafirin, kjo nuk ishte e vërtetë. Besnikun e quante armik personal. E kishte lexuar tregimin e tij që kishte fituar çmimin e parë dhe e kishte flakur me përbuzje, duke u shprehur si zakonisht për shkrimet që nuk i pëlqenin: «Unë kështu shkruaj me b…. » Atij i dukej poshtërsi dhe padrejtësi tepër e madhe që një tregimi të tillë i jepeshin dhjetë mijë lekë shpërblim, kurse veprat e veta bëheshin objekt sulmesh e talljesh. Nuk i pëlqeu as pamja e jashtme e djaloshit. Iu duk tepër i kënaqur me veten. Hyseni ishte i revoltuar : ky mburravec që kishte duartrokitur si maskara kur e shanin, tani guxonte t’i vinte në shtëpi. Pa le pastaj që as tregimin nuk ia kishte kthyer, megjithëse e kishte marrë para një muaji.

Besniku, që kurrsesi nuk mund ta merrte me mend se çfarë bluante i zoti i shtëpisë, nxori tregimin nga xhepi dhe i tha:

– Më ka pëlqyer shumë. Një tregim të tillë nuk kam lexuar në gjithë letërsinë shqipe. E meritonte çmimin shumë më tepër se tregimi im.

Qepallat e Hysenit u drodhën lehtë nga këto fjalë të papritura.

Në këtë kohë e zonja e shtëpisë hyri me dy kafe në tabaka. U përkul t’i jepte mysafirit filxhanin dhe buzëqeshi me pahir. Pastaj u kthye nga i shoqi. Ai e vështroi me ftohtësi të madhe dhe refuzoi:

– Nuk dua!

Gruas iu duk sikur dikush i hodhi një kovë ujë të ftohtë në trupin lakuriq. Ajo doli nga dhoma e vrarë, hyri në kuzhinë, la tabakanë në tavolinë, uli kokën dhe ia plasi vajit. Në fillim nuk kishte dashur t’u bënte kafe dhe ishte përpjekur shumë të gjente se si duhej të vepronte, por pastaj kishte vendosur të shtihej sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Burrë e grua ishin grindur keqas atë ditë për shkak të qëndrimit të Hysenit ndaj Lidhjes së Shkrimtarëve dhe shokëve të Partisë. Më në fund, i shoqi i kishte thënë se do t’i pëlqente shumë të shporrej nga shtëpia. Këtu kishin pushuar fjalët. Sabrija ishte kthyer në dhomën e gjumit. Atë ditë kishin ngrënë bukë veç e veç. Nuk kishin këmbyer asnjë fjalë dhe s’i kishin dalë fare ballë për ballë njëri-tjetrit.

Vjehrri, që hyri në atë çast, e kuptoi se kush ishte shkaktari i lotëve të saj dhe i foli:

– Mos ja vër re, se është i shkalluar.

Hyseni vijonte të dëgjonte djaloshin pa e ndërprerë dhe pak nga pak iu zhduk mëria ndaj tij. Në fillim u çudit që Besniku ia kishte pëlqyer tregimin, mandej edhe ia kishte kuptuar. Këto fjalë të mira në këto çaste, kur të gjithë, pa përjashtuar as gruan, as babanë, ishin kundra dhe donin ta mbytnin, e lehtësuan shumë dhe ia larguan paragjykimet ndaj letrarit të ri. Megjithëse djaloshi fliste me një ton prej mësuesi, sikur të kishte para tij një nxënës të shkollës fillore, iu duk i mençur dhe i mirë. Kur ai mbaroi, sytë e Hysenit vështronin qetë. Buzët i ishin puqur lehtë. Fytyra i kishte marrë një pamje të paqtë. Pejzat e saj ishin shtendosur.

– Më habite. Nuk e prisja kurrë që ti të pëlqeje poemën time, – foli i kënaqur.

Duke e vënë re se po e trajtonte me afërsi, Besniku e pyeti me mirësjellje:

– Pse nuk erdhe sot në mbledhje? Nuk e kuptoj fare këtë qëndrim.

– Nuk desha të dëgjoj dënglat e kalemxhinjve që hanë paratë e popullit badihava dhe mburren si të ditur. Mua nuk më japin dot mësime. Ata janë plehra që koha do t’i shkelmojë. Vijnë prej hiçit dhe shkojnë drejt hiçit. Me sjelljen time u tregova se nuk vlejnë asnjë dysh dhe se nuk janë të zot të thërrasin një njeri në diskutim. Pinguinët! Duan të më presin rrugën. Gabohen! Oqeani nuk

mbyllet në një gropë. Lufta e meskinëve është një barometër që tregon se jam në rrugë të drejtë. Unë jam pishtar në errësirë.

Besniku mbeti i shastisur. E tronditi pasioni dhe bindja e madhe me të cilën fliste bashkëbisedonjësi. Shpesh herë edhe atij i dukej se kishte një zjarr të madh në kraharor, se kishte lindur të krijonte vepra të mëdha, pavarësisht se disa herë ndjehej i pafuqishëm dhe i vogël. Këto dëshira që i zienin brenda, nuk guxonte t’ia thoshte botës. Por ja Hyseni shpallte hapur që ishte gjeni dhe kjo i pëlqeu. Megjithatë e qortoi:

– Pavarësisht se cilët janë ata që të kritikuan, ti duhet të vije në mbledhje, t’i dëgjoje dhe të shprehje mendimin tënd.

Poeti, të cilit bisedonjësi iu duk naiv, mbrojti qëndrimin e vet:

– Unë do t’ua përplasja në turinj të vërtetën dhe do të bëhej një sherr i madh, që do të më dëmtonte para kohe.

– Atëherë heshtje, – e këshilloi letrari i ri.

– Kjo nuk i shkon shtatit tim, – kundërshtoi bajronisti. – Çdo njeri duhet të veshë rrobën e vet. Ata të dërdëllisin për veprën time budallallëqe me thasë, kurse unë të rri sus si një qen i stërvitur për shfaqje cirku?! Nuk jam aktor komik. Do të ishte poshtërsia më e madhe që do t’i bëja vetes.

Besniku mbeti. Nuk dinte ç’të thoshte. U ngrit se ishte bërë vonë.

* * *

Hyseni vijonte të shkruante poezi. Pena e tij rrëshqiste mbi letër. Pjesën më të madhe të orarit zyrtar ai e përdorte për të shkruar. Tani kishte filluar të krijonte me dëshirë të madhe një poemë gjysmë fantastike, të cilën e kishte ëndërruar vite me radhë. Besonte se jo vetëm do të ishte kryevepra e tij, por do të vlerësohej edhe në literaturën botërore. Kishte dashur ta shkruante këtë poemë qysh kur ishte në Bashkimin Sovjetik. Ai kishte dashur të përshkruante se si një grup njerëzish nën udhëheqjen e heroit kryesor, niseshin të kërkonin tokën e lumtur dhe pas peripecish të shumta, më në fund e gjenin. Në forma fantastike dhe simbolike aty do të pasqyroheshin katër sistemet shoqërore si i përcaktonte marksizmi : skllavopronaria, feudalizmi, kapitalizmi dhe socializmi. Aty do të tregohej se skllevërit e gjenin lumturinë vetëm në socializëm. Forma e jashtme e poemës kishte mbetur e njejtë, por kishin ndryshuar qëllimi dhe tiparet e heroit kryesor. Tani vetëm heroi kryesor, i pakënaqur nga shoqëria, kërkonte të gjente tokën e lumtur. Bashkonte skllevër dhe skllavopronarë dhe nisej në kërkim. Pas shumë peripecish arrinte në tokën «e lumtur», ku shoqëria ishte organizuar në mënyrë mekanike. Më kot njerëzit kishin luftuar dhe shpresuar te socializmi : ishte një shoqëri artificiale, e destinuar të shkatërrohej. Heroi kryesor ngrihej kundër dy shtresave antagoniste të kësaj shoqërie, kundër skllevërve dhe skllavopronarëve. Te dyja klasat e urrenin. Po krijonte skenën e fundit të poemës, ku, pasi shkatërrohej bota mekanike në hapësirën e gjithësisë, heroi kryesor takonte të dashurën e vet në një botë tjetër. Pasi e mbaroi, tha:

– Jam i kënaqur. Sot përfundova një skenë të bukur. Po deshe, ta lexoj.

– Mirë, – foli Besniku me gjysmë zëri.

Hyseni filloi të lexonte pa u merakosur shumë se ç’përshtypje do t’i bënte shokut krijimi i tij. Besniku dëgjonte me një farë habie. Nuk e zbuloi domethënien e asaj skene dhe nuk i bëri ndonjë përshtypje. I pëlqeu ca heroi kryesor, se dashuronte me zjarr, ashtu si edhe ai vetë. Kur Hyseni përfundoi leximin, Besniku i tha:

– Mirë…Tani për tani unë jam në fazën e parë të rrugës së krijimtarisë tënde, në atë të tregimit «Komiti».

Një çast Hyseni e vështroi Besnikun i heshtur. Një buzëqeshje tallëse shkëlqeu në buzët e tij. Bashkëbisedonjësi iu duk i pështirë se po guxonte të krahasohej me të. Ishte i bindur se vetë ishte gjeni kurse Besniku asgjë. Këtë bindje ia kishte përforcuar edhe leximi i romanit të tij. Këto lloj veprash jo vetëm që i vlerësonte si antiartistike, por i konsideronte edhe armike të personalitetit të

vet ; ato kërkonin ta shtypnin, ta zhduknin, prandaj gjatë gjithë leximit të romanit kishte ndierë neveri dhe revoltë. Por kishte vendosej të mos ia thoshte troç të vërtetën autorit, se ishte i bindur që nuk do të kuptohej dhe duhej të sillej butë për hir të shoqërisë që kishin nisur. Tani hapi sirtarin, mori tregimin «Komiti» dhe i tha Besnikut me një farë shpotie:

– Dëgjo!

Dhe pasi i lexoi skenën e fundit, ku përshkruhej vdekja e komitit, shtoi me një farë nervozizmi :

– Dhjetë romane të shkruash ti do jenë hiç para kësaj skene.

Besnikut i kishte pëlqyer shumë kjo pjesë dhe tani e vlerësoi edhe më tepër. Pyeti:

– E lexove romanin?!

Hyseni u përgjigj ftohtë:

– Po.

Besniku vazhdoii me një farë ankthi:

– Si t’u duk?

– Nuk është fare i keq, – ia ktheu Hyseni pa qejf.

Autori i romanit e kuptoi se shoku nuk po i hapej, se po i fshihte diçka të hidhur, dhe i tha:

– Mendimi yt për mua ka rëndësi të madhe. Duhet të më thuash të vërtetën, ashtu si e mendon, qoftë edhe e hidhur. Nuk do të prekem, përkundrazi, do ta di për nder. Unë jam në kërkim. Dëshiroj të gjej rrugën e artit të vërtetë.

Shoku i foli me ironi:

– Është më mirë ta kërkosh atë nga kryesia e Lidhjes. Ata po e presin me entuziazëm romanin tënd.

Besniku këmbënguli:

– Unë e dua nga ti…

Hyseni e këshilloi me një farë inati:

– Mos të bie keq dhe pendohesh.

Besniku u shpreh i prerë, i patundur:

– Jo!

Hyseni qëndronte pak larg. Shtatin e mbante drejt. Fytyra e tij kishte një pamje shumë serioze. Vështronte krenar, mandje me përbuzje. Buzët e shtrënguara, vështrimi i mprehtë, qëndrimi i trupit dëshmonin për një vendosmëri të palëkundër, të pamposhtur. Ai futi në sirtar tregimin dhe pyeti:

– Pra ty të pëlqen ta them troç të vërtetën?

– Atë kërkoj… – mërmëriti Besniku, këtë herë i shtypur shpirtërisht si para një profesori.

Hyseni u skuq. Sytë iu hapën, iu duk më i madh kokërdhoku me ca damarë të kuq nëpër të, dhe u derdh gjithë zemërim:

– Nuk vlen asnjë dysh më tepër nga shkarravinat e këtyre faqe me nder shkrimtarucëve të tjerë. Ti ha në një çanak me Andrean, Filipin, Mihalin, Telhanë, je shok i tyre i ngushtë. Ju keni shpikur realizmin socialist dhe kujtoni se i zgjidhët të gjitha problemet, se arritët kulmin e artit dhe i dhatë fund zhvillimit të mëtejshëm të tij. Ju shiteni si hoxhë të mësuar, sikur dini çdo gjë dhe të tjerët duhet t’u mbajnë në kurriz, t’u binden si shërbëtorë sahanlëpirës. Gaboheni rëndë, zotërinj! Letërsia juaj është kartë! Nuk ndryshon asnjë çikë nga klasiçizmi francez. Vetëm se vjen në një kohë më të vonë dhe ka vlerë më të pakët. Ashtu si ata, ju keni ndarë heronjtë për komedi dhe tragjedi. I shërbeni shtresave të caktuara të këtij shteti dhe e keni ndrydhur letërsinë.

«Ti gjithë romanin e ke prodhuar në laboratorin e kokës tënde, sipas modeleve pa sukses të kohës. Edhe tek ti, personazhi kryesor është sekretari i Partisë. Asnjë personazh nuk është marrë nga jeta dhe nuk kishte mundësi të merrej. Ku i njohe ti punëtorët? Mjaftojnë për këtë gjashtë muaj? Të gjithë tipat i ke prodhuar nga mendja, sipas skemave të realizmit socialist, dhe u ke theksuar tiparet siç të ka pëlqyer. Çdo gjë e ke vendosur me qëllim të caktuar politik, duke e përdhunuar jetën nga pikëpamja artistike. Edhe dashurinë e ke futur artificialisht si piper, për ta bërë gjellën tënde më të

shijshme. Nuk shoh mes veprës tënde dhe teje asnjë lidhje të vërtetë, veç pikëpamjeve politike dhe dëshirës për të bërë roman.

Ti je pjellë shterpë e kohës, ashtu si edhe të tjerët. Ju mendoni se jeni zotër, se i njihni të gjithë njerëzit, se mjafton të shtrini dorën, ku t’ju pëlqejë dhe problemi është zgjidhur. Gaboheni rëndë! Ju nuk njihni akoma veten tuaj! Artisti i flet botës vetëm për atë që njeh, që e ka zbuluar vetë në jetë. Ju kujtoni se me letërsinë tuaj përfaqësoni epokën. Gaboheni prapë. Këtë shekull e përfaqësoj unë!

Ai ra gjoksit me grusht dhe vijoi:

– Unë jam pishtar në errësirë! Lumë që do të mbys gjithçka që më del para. Vepra ime nuk është anakronike si pëshpëritin disa. Ajo është e lidhur ngushtë me kohën dhe truallin shqiptar. Ata që më ndalojnë, e bëjnë me qëllim. Ky shekull do të përfaqësohet prej meje dhe juve koha do t’u fshijë pa mëshirë, si plehra!

Autori i romanit dëgjonte i shtangur. Për herë të parë në jetë ndeshej me mendime të tilla, që e goditnin pa mëshirë, duke i zbuluar drejtimin letrar të kohës dhe shkrimtarët e saj krejt ndryshe nga ç’kishte besuar gjer tani. Ai mendoi se vërtet nuk e njihte jetën, as veten, as botën, se i kishte krijuar ngjarjet dhe personazhet kryesisht nga fantazia. E pranoi se ato që kishte shkruar në këtë vepër nuk ishin mishi dhe gjaku i vet. Besniku, që e mbante veten të zgjuar, tani qëndronte si një i paditur, i turbulluar, sepse se nuk kishte menduar kurrë mbi këto probleme.

E kishte ëndërruar veprën e tij kaq kohë, kishte kujtuar se ajo do ta mbulonte me lavdi, se do ta trondiste vendin dhe do ta bënte të njohur në botën mbarë, dhe ja tani shoku e dërmonte, e quante krejt pa vlerë me argumente të pakundërshtueshme. Atij i theri në zemër, se shpresat më të shtrenjta ishin bërë pluhur e hi. U ndie i mjerë dhe i dobët.

Hyseni mbaroi. Dridhej i tëri nga emocioni. Priste që tjetri ta kundërshtonte, të shaheshin dhe ndoshta të prisheshin përgjithmonë. E vështronte me përbuzje dhe ishte gati ta sulmonte prapë me nerva të tendosura, por, për çudinë më të madhe, dëgjoi këto fjalë:

– Në përgjithësi jam dakord me ty. Ke gati plotësisht të drejtë përsa i përket romanit tim. Për problemet e tjera nuk mund të flas tani për tani.

Hyseni, që nuk i priste kurrë këto fjalë, mbeti i hutuar. Besniku po i shfaqej edhe një herë krejt ndryshe nga ç’e pandehte.

* * *