Diplomati rus në OKB thotë se projekti i Kosovës ka dështuar

Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vasily Nebenzya ka hedhur një varg akuzash në drejtim të Kosovës, për siç ka thënë ai, moszbatim të marrëveshjeve.

Gjatë mbledhjes së radhës të Këshillit të Sigurimit për Kosovën, ai tha se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës po “stagnon” dhe se sipas tij, ngjarjet në Kosovë kërcënojnë të rrezikojnë gjithë rajonin.

“Projekti i Republikës së Kosovës në mënyrë të qartë ka dështuar. Nuk është e qartë as kur Gjykata Speciale për krimet e UÇK-së do të fillojë të funksionojë. Këto janë çështje shumë serioze dhe një numër i madh i aktorëve po tenton t’i shtyjë nën rrogoz”, tha ambasadori rus.

Sipas tij, themelimi i ushtrisë së Kosovës është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Rezolutën 1244, sipas së cilës forca ndërkombëtare është forca e vetme e armatosur në Kosovë.

Diplomati rus Nebenzya akuzoi Prishtinën edhe për “sabotimin” e zbatimit të marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.