Fungo: KFOR-i do të qëndrojë në Kosovë për aq sa ka nevojë

Prania e KFOR-it në Kosovë nuk është e lidhur me ndonjë periudhë të caktuar kohore.

Kështu ka deklaruar komandanti i KFOR-it, gjeneral major Giovanni Fungo, në një konferencë për media, në prag të largimit të tij nga Kosova.

“Kur të plotësohen disa kushte, atëherë ne mund të ndryshojmë strukturën, misionin dhe detyrën të cilën KFOR-i do ta ketë këtu në Kosovë. Kushtet janë që institucionet e Kosovës të jenë në gjendje të ofrojnë sa më shumë siguri”, ka thënë ai.

Gjenerali Fungo ka theksuar se siguria në Kosovë është e ndarë në tri nivele, ku, sipas tij, reagues i parë është Policia e Kosovës, vija e dytë është EULEX-it dhe reaguesit e fundit, KFOR-i.

Komandanti në largim foli dhe për ushtrimet e përbashkëta të KFOR-it me policinë e Kosovës dhe FSK-në, për të cilët tha se janë të të njëjtit standard me ushtarët e tyre.

Ai nënvizoi se KFOR-i edhe gjatë zgjedhjeve të fundit ka zbarkuar asete të ndryshme për të ruajtur një mjedis të sigurt.