Gjoza dhe Urso bëjnë me faj SHBA-në, Godelli tregon sa ngre (Video)

Nëse Federata Shqiptare e Peshëngritjes dhe ajo europiane kanë hedhur përgjegjësinë te vendi organizator (SHBA) për mos dhënien e vizës së peshëngritësit shqiptar Daniel Godelli, ky i fundit ka postuar dy video ku tregon peshat e ngritura në shkëputje dhe shtytje, që rezultojnë të jenë afër rekordeve.

Peshëngritësi shqiptar është i bindur që me ngritjen e këtyre dy peshave, do fitonte medaljen e artë në Kampionatin Botëror në USA që zhvillohet në fund të këtij muaji. Për më shumë, shikoni videon që ka postuar Godellin me fjalët: “165 kg dhe 207 kg. Nëse dikush në këtë Botëror arrin kaq, atëherë do të jetë fjala ime boshe…”

Presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes, Antonio Urso, deklaroi nga Tirana se ishte informuar për problemin e Godellit dhe çështjen do e ngrejë për diskutim në mbledhjen e Komiteti Ekzekutiv të EWF.  “Po, jam shumë mirë i informuar për situatën e Godellit. Kjo gjë nuk varet nga Federata Europiane dhe as nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes. Si President i Federatës Europiane, do të kërkoj arsyet nga Komiteti Organizativ, që ka obligimin për pajisjen me viza të trajnerëve dhe sportistëve” – tha ndër të tjera Antonio Urso.

Gjoza dhe Urso në konferencën e sotme për shtyp

Shqipëria do të jetë organizatorja e radhës e Kampionatit Europian të Peshëngritjes për të rritur, që do të mbahet në mars të vitit të ardhshëm në Tiranë. Në një konferencë të përbashkët për mediat, Presidenti Federatës Shqiptare të Peshëngitjes, Elez Gjoza së bashku me Presidentin e Federatës Europiane të Peshëngitjes, Antonio Urso, dhe kreun e Peshëngitjes Kosovare, Astrit Asani, kanë zyrtarizuar lajmin për organizimin e këtij eventi të rëndësishëm sportiv.